Departmenti Amerikan i Mbrojtjes njofton për vizitën në Prishtinë

24 shkurt 2024 | 12:47

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka njoftuar lidhur me takimin që ka pasur në Prishtinë, Alton Buland, drejtor kryesor për Politikat Evropiane dhe të NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes, në kuadër të konsultimeve dypalëshe të mbrojtjes SHBA-Kosovë.

Buland ishte për një vizitë në Prishtinë më 22 dhe 23 shkurt dhe është takuar me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.

Në njoftimin e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes thuhet se qëllimi i konsultimeve dypalëshe për mbrojtjen ishte diskutimi i prioriteteve të bashkëpunimit dypalësh,  mbështetja për zbatimin e planit 10-vjeçar të tranzicionit të FSK-së për transformimin e FSK-së në një forcë mbrojtëse territoriale profesionale, multi-etnike, ndërvepruese me NATO-n.

Në komunikatën e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes bëhet e ditur se udhëheqësit ndanë informacione rreth projekteve që synojnë të ndihmojnë në përmirësimin e aftësive dhe ndërveprimit të FSK-së, angazhimet e ardhshme ushtarake, Programin e Partneritetit Shtetëror me Gardën Kombëtare të Iowa-s dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Drejtori kryesor për Politikat Evropiane dhe të NATO-s në Zyrën e Sekretarit të Mbrojtjes, Alton Buland përshëndeti Kosovën për arritjet që FSK-ja ka bërë në fazën e dytë të Planit gjithëpërfshirës të tranzicionit dhe falënderoi ministrin Maqedonci për kontributin e FSK-së në Ukrainë, duke përfshirë ofrimin e trajnimeve dhe ekspertizës në deminim.

Udhëheqësit riafirmuan rëndësinë e respektimit të standardeve më të larta të vlerave demokratike, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në të gjitha aspektet për marrëdhëniet dypalëshe të mbrojtjes. 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën, Wolfgang Petritsch, në…