Bordi i emëruar nga qeveria Kurti e largoi nga puna, gjykata e kthen në detyrë gruan e heroit Ilaz Kodra

06 mars 2024 | 14:56

Gjykata Themelore në Mitrovicë raportohet se ka marrë vendim në favor të Kimete Kodrës, bashkëshortes së heroit Ilaz Kodra, për ta rikthyer në punë në Postën e Kosovës.

“Paparaci” raporton se ka siguruar vendimin e gjykatës, ku thuhet se është vërtetuar që menaxhmenti i Postës ka shkelur kontratën e punës.

Sipas vendimit të datës 27 shkurt, Posta e Kosovës detyrohet t’ia kompensojë Kodrës diferencën në pagat e papaguara prej ditës së largimit, e deri në ditën e kthimit në vendin e saj të punës.

Po ashtu, Posta detyrohet që t’ia paguajë Kimete Kodrës shtatë mijë euro “në emër të dëmit jo material për dhimbje shpirtërore”.

“Gjithashtu është vërtetuar se vendimi i Postës për shqiptimin e masave disiplinore ishte në kundërshtim të plotë sipas ligjit të punës, rregulloret e brendshme e të paditurës, kontratën e punës, dhe me performancën e kënaqshme të paditëses për arsye se paditësja edhe në datën e pretenduar me vendimin e kundërligjshëm ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e saj ashtu që asnjëherë nuk ka qenë e përfshirë në keqpërdorimin e mjeteve financiare të ‘Jute Credites’”.

“Po ashtu është vërtetuar se nuk qëndron as pretendimi i të paditurës së paditësja ka qenë përgjegjëse për rastin e Veli Malës pasi që gjatë shqyrtimit gjyqësor e paditura nuk kishte ofruar asnjë provë se i njëjti kishte fshehur apo ishte shpallur përgjegjës nga komisioni disiplinor i të paditurës”, është thënë në vendimin e gjykatës.

Vlen të theksohet se Kodra ishte suspenduar prej punës nga Bordi i emëruar nga qeveria Kurti, e cila atë kohë, punonte si koordinatore e zyrave të Postës në Skenderaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, si reagim ndaj ftesës së…