Regjistrimi i popullsisë, 10 mijë euro shpërblim kush e qëllon numrin e saktë

08 mars 2024 | 12:04

Regjistrimi i popullsisë në Kosovë, do të fillojë pas 27 ditësh.

Nga data 5 prill deri më 17 maj, në dyert tona do të trokasin zyrtarë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për të marrë të dhënat tona si banor në Republikën e Kosovës.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, në konferencën e sotme për media ku ka prezantuar në detaje planin për regjistrimin e popullsisë, ka bërë të ditur edhe një detaj interesant: cilido qytetar që ia qëllon se sa do të dalë në fund numri i popullsisë në Kosovë, do të fitojë një çmim prej 10.000 euro.

“Është një lojë shpërblyese, ai që e di se sa ka me dalë popullsia në Kosovë, do të fitojë një çmim prej 10.000 euro. Por na vyen saktësia sa, rrethi pikado, kush e qëllon shpërblimi do të jetë deri në 10 mijë euro”,ka thënë Avni Kastrati, menaxher i Regjistrimit të Popullsisë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), shkruan “Nacionale”.

Si një problematikë që shpesh është diskutuar vitin e kaluar, duke qenë që ishte paraparë që të ndodhte si proces por u shty deri në këtë vit, Kastrati ka dhënë detaje rreth formës së regjistrimit të popullsisë sivjet.

Ai ka thënë se regjistrimi do të jetë “derë më derë”.

“Projekti i regjistrimit të popullsisë në Kosovë, në bazë të vlerësimeve Kosova dhe ASK është e përgatitur për regjistrimin e popullsisë në datë dhe muaj të caktuar. Na kanë mbetur 27 ditë prej sot deri te regjistrimi i popullsisë. Janë tri shtete që regjistrojnë popullsitë këtë vit: Moldavia, Gjeorgjia dhe Kosova. Shtetet tjera regjistrimin e kanë bërë duke u bazuar në kombinim të metodave të ndryshme. ASK është e gatshme me shkuar në regjistrim të popullsisë. Deri tani, ka pasur shumë sfida, por nuk do të thotë që ka mbaru regjistrimi i popullsisë. Ndoshta do të jetë regjistrim i kombinuar. Besoj që jemi në rrugë të mirë sepse kemi analizuar databazat që kemi në dispozicion. E dimë të gjithë që është një projekt që iu jep shumë të dhëna institucioneve”, ka thënë Kastrati.

Kryeministri Albin Kurti, në një mbledhje të mbajtur më 22 nëntor të vitit të kaluar, pati hedhur kritika në adresë të menaxhmentit të ASK-së, duke thënë se ‘procesi i menaxhimit të regjistrimit të popullsisë, nuk ishte mirë”.

Pa iu referuar kësaj deklarate, por duke arsyetuar shtyrjen e procesit, Avni Kastrati i ASK-së, thotë se disa nga faktorët ishte “moti në nëntor” dhe “ngjarjet në veri”

“Qeveria e Kosovës e ka shtyrë përsëri edhe për disa muaj procesin e regjistrimit të popullsisë, që tani parashihet të fillojë në prillin e vitit të ardhshëm”, ka thënë Kastrati.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011, ndërsa regjistrimi që është dashur të bëhet në vitin 2021, është shtyrë për shkak të pandemisë Covid-19.

Sipas regjistrimit të bërë më 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë llogaritet të jetë rreth 1.8 milion.

Por, në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian nuk ka gatishmëri për t’i vënë masa ndëshkuese…