Serbia po mbetet pa personel shëndetësor, Sllovenia po i joshë mjekët serbë

12 mars 2024 | 08:08

Mjekët nga Sllovenia tashmë janë mësuar me praninë e një numri të madh mjekësh nga Serbia. Ata shkëmbejnë njohuri, përvoja dhe pacientë me ta.

Migrimet mjekësore, më saktë largimi i punonjësve shëndetësorë nga Serbia për jashtë vendit, tashmë janë një fenomen i zakonshëm në këtë pjesë të Evropës, dhe motivohen nga pagat më të larta, por edhe nga kushtet shumë më të mira të punës, marrëdhëniet ndërpersonale dhe përfitimet e tjera të shumta.

“Mjekët serbë kanë shkuar në Gjermani në numrin më të madh prej dekadash, por vitet e fundit një vend afër nesh, Sllovenia, po bëhet gjithnjë e më tërheqës”, raportojnë mediat serbe.

Mjekët sllovenë janë mirënjohës për “fluksin” e madh të kolegëve profesionistë nga Serbia. Megjithatë, përderisa mjekët serbë po trajtojnë sllovenët, në spitalet serbe pacientët po lëngojnë në listat e pritjes, pa termin për ekzaminime dhe intervenime, për shkak të mungesës në rritje të stafit.

“Mjekët serbë janë pjesë e rëndësishme e sistemit të plotë shëndetësor në Slloveni. Ata janë kolegë të shkëlqyer, pa të cilët klinikat tona nuk do të mund të punonin tani. Një spital në Slloveni pa një mjek nga Serbia është thjesht i paimagjinueshëm. Ata e bëjnë punën e tyre pa të meta dhe kur jam në detyrë, të paktën një herë në javë jam në shërbim me njërin prej tyre dhe gjithmonë mësoj diçka të re”, tregon për Nova.rs Prof. Jure Urbançiq, specialiste ORL (otolaringolog) nga Qendra Klinike Universitare në Lubjanë.

Ai është gjithashtu fitues i “Medis aëards” për punë shkencore në fushën e pomologjisë dhe alergologjisë, i cili u nda ceremonialisht javën e kaluar për punimet më të mira shkencore në mjekësi për vitin 2024.

Edhe pse në Slloveni vijnë mjekë më të vjetër dhe më me përvojë nga Serbia, Dr. Urbançiq vëren se së fundmi ka gjithnjë e më shumë të rinj.

“Kemi më së shumti specialistë nga Beogradi, por edhe nga pjesët tjera të Serbisë. Ata janë mjekë me eksperiencë me vite përvojë pas tyre. Ne mësojmë shumë prej tyre dhe ata kanë shumë rëndësi për pacientët. Megjithatë, vë re gjithnjë e më shumë kolegë të rinj, të cilët vijnë për të mësuar diçka nga ne, kështu që shumë mbeten këtu për të punuar. Kemi një përqindje në rritje edhe të infermierëve nga Serbia, për të cilët kushtet e punës në vendin tonë padyshim janë më të përshtatshme”, thotë Dr Urbançiq.

Në Serbi, puna në spitale është gjithashtu e politizuar

“Numri më i madh i anesteziologëve nga Serbia vijnë tek ne, dhe kjo është një degë e mangët kudo në botë, edhe në Serbi. Nuk është e lehtë t’u thuash lamtumirë specialistëve të tillë dhe duhet ta pranoj, na vjen mirë që po vijnë, sepse të gjithë kemi shumë nevojë për ta, dhe ata janë të shkëlqyer në punën e tyre”, theksoi dr. Urbançiq.

Mobingu, marrëdhëniet e këqija ndërpersonale dhe kushtet e punës janë disa nga arsyet e largimit nga spitalet e Serbisë, ndërsa niveli i të ardhurave është sigurisht arsyeja më e zakonshme.

“Është e vështirë t’i përgjigjemi pyetjes pse kaq shumë mjekë nga Serbia vijnë të punojnë këtu në Slloveni. Në institucionet shëndetësore në Serbi, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit, drejtorët më duket se po privatizojnë një spital apo kompani shtetërore. Dikush që është në krye të një klinike, le të themi, dëshiron të qëndrojë sa më gjatë atje, të konsolidojë pozicionin e tij me çdo kusht. Kjo, natyrisht, ka pasoja, të cilat mund të shihen në marrëdhëniet e këqija ndërpersonale dhe në fund të fundit humbjen e punonjësve. Pra, rroga është një nga arsyet kryesore të largimit, por nuk është e vetmja”, shpjegon ky specialist ORL nga Lubjana.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 21 prill do të mbahet votimi në katër komunat…