Sot mbledhje e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës

14 mars 2024 | 08:17

Sot do të mbahet mbledhje e jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës, e thirrur nga këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje (LV-së).

Mbledhja është thirrur për emërimin e kryesuesit të Kuvendit. Mbledhja është thirrur për sot në orën 11:00.

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se kanë kaluar dy javë nga shkarkimi i kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe ende nuk ka rezultat konkret për emërimin e kryesuesit të ri nga partia që ka pushtetin në Prishtinë, LDK-ja dhe kryetari Përparim Rama.

LV-ja përmes një njoftimi ka bërë me dije se Kuvendi Komunal vazhdon të mbetet jofunksional dhe po bëhen tre muaj që nuk ka mbajtur asnjë mbledhje të rregullt.

“Shumë çështje esenciale për qytetin, rregullore e projekte, pika diskutimi e vendime, kërkesa e ankesa, kanë mbetur pezull dhe të patrajtuara nga ata që janë të zgjedhur dhe kompetentë për këtë punë, këshilltarët komunalë”, thuhet në njoftimin e LV-së për medie.

Ndër të tjera, në njoftim thuhet se bllokada totale u konvenon vetëm pushtetarëve komunalë.

“S’ka se si të jetë ndryshe kur kemi parasysh faktin se janë ata që nuk thërrisnin mbledhje në kohën kur kuvendi kishte kryesues dhe gjithashtu tash e dy javë nuk morën veprime për funksionalizimin e kuvendit, për të propozuar kryesues të ri. Në një situatë të tillë, duke qenë grupi më i madh në kuvendin komunal, dhe duke e ditur përgjegjësinë e përfaqësimit të qytetarëve të Prishtinës, si dhe nevojën për lëvizjen e proceseve përpara, grupi ynë i këshilltarëve komunalë ka deponuar nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, me pikën e vetme të rendit të ditës: Zgjedhjen e Kryesuesit të Kuvendit”, thuhet tutje në njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist organizon sot protestë nga…