Vendoset “Pllaka e Nderit” në shtëpinë e Azem Sylës, Lladrovci: Faleminderit për gjithë çka ke bërë për Kosovën!

16 mars 2024 | 21:18

Në një solemnitet të organizuar në Kishnarekë, është zbuluar “Pllaka e Nderit” e vendosur në shtëpinë e Azem Sylës, në shenjë kontributi atdhetar, me ç’rast, z. Ramiz Lladrovci, në fjalën e tij, vlerësoi lart kontributin e Azem Sylës për çlirim e shtetndërtim.

“Sot, me këtë simbolikë, të burgosurit politikë dhe “Lëvizja” kanë thënë shumë, sepse, kjo shtëpi, e meriton, e meriton sepse, këtu, lindi e u rrit, njëri nga bijtë më të devotshëm të kombit, Azem Syla”, ka theksuar Lladrovci në fjalën e tij.

Z. Lladrovci e ka publikuar fjalën e plotë të rastit në rrjetin social, si vijon:

Në Kishnarekë, me rastin e vendosjes së “Pllakës së Nderit” në shtëpinë e Azem Sylës-Dajës, mbajta këtë fjalë rasti:

Familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Shumë të dashur familjar të Dajës, bashkëfshatarë,
I dashur vëlla Ali, Gjeneral Lama, Xhavit, Rem, Mehmet, Hasan, Berat, Bajrush, Nait, Xhevat, Xhelë, Bilall, Izmi, Nazim, Lulëzim,
I dashur Azem, mik, bashkëveprimtar e bashkëluftëtar imi, i Fehës dhe Xhevës, i Adem Jasharit e Mujë Krasniqit, Ahmet Haxhiut e Xhavit Hazirit, Gani Sylës e Shaban Shalës, Xheladin Gashit e Jashar Salihut.

Bashkëveprimtar, bashkëluftëtar e mik i Ali Ahmetit e Xhavit Halitit, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, Sokol Bashotës e Agim Çekut, Halil Selimit e Ramadan Avdiut, Mehmet Hajrizit e Hydajet Hysenit, Ramë Bujës e Nait Hasanit dhe të qindra bashkëveprimtarëve e mijëra çlirimtarëve anë e kënd trojeve etnike.

Bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë,
Të nderuar të pranishëm, qytetarë,

Sot, të këtë ditë të shënuar, nuk mund t’i përshkruajmë të gjithë emrat e aktivisteve e aktivistëve, të të gjithë atdhetarëve për lirinë e Kosovës dhe ta përshkruajmë tërë historinë e okupimit shekullor nga regjimi jugosllav.

Sepse, na duhet të flasim për torturën e pandalshme shekullore kundër Drenicës dhe Kosovës, në kohën e Azem Bejtës, në kohën e Shaban Polluzhës, demonstratave të 68-ës e 81-ës dhe viteve ’90-ta, për Epopenë e UÇK-së me Komandantin legjendar, Adem Jasharin.

Por, ne do të ndalemi te kjo shtëpi, e cila për më shumë se një shekull, ishte shtëpi qëndrese, rezistence dhe përkushtimi atdhetar për çështjen kombëtare, luftën çlirimtare, shtetformimin e shtetndërtimin.

Shoqata e të Burgosurve Politik dhe Shoqëria “Lëvizja”, të cilat mbledhin shokët tanë të devotshëm, shokët tanë çlirimtarë, ish të burgosurit politikë e atdhetarët pa dallim partie, prej themelimit, me vendosjen e “pllakave të nderit”, kanë bërë një punë të vyer dhe me vlerë për ne të gjallët dhe kujtesë për gjeneratat.

Sot, me këtë simbolikë, të burgosurit politikë dhe “Lëvizja” kanë thënë shumë, sepse, kjo shtëpi, e meriton, e meriton sepse, këtu, lindi e u rrit, njëri nga bijtë më të devotshëm të kombit, Azem Syla.

Të nderuar të pranishëm,

Të dashur të burgosur politikë, aktivistë, shokë nga Lëvizja, në ftesën për këtë solemnitet, për Azem Sylën – Dajën, ka disa epitete: Arsimtari, atdhetari, veprimtari, njëri nga drejtuesit e LPK-së, luftëtari dhe Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të gjitha këto epitete, së bashku, në vete përmbajnë besë, dinjitet, moral të lartë atdhetar, devotshmëri deri në vetëmohim, disiplinë, idealizëm të rrallë dhe prijës në situatat që meritojnë përgjegjësi të madhe.

Daja ka kryer me ndershmëri aktivitete dhe funksione të ndryshme, karrierën e tij arsimore e filloi si arsimtar në shkollën “Bajram Curri” në Nekovc, në fillim si arsimtar i kimisë, më pastaj Profesor në gjimnazin “Luigj Gurakuqi”, në Kievë.

Si anëtar i organizatave klandestine, në vitet ‘80 bie në burgjet serbe, dy herë. Ishte anëtar i Këshillit të përgjithshëm të LPK-së, anëtar i Kryesisë dhe Grupit të Veçantë, i ngarkuar për organizimin e luftës, dhe Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës dhe pas çlirimit, Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës.

Daja, që nga fëmijëria cilësohej fjalëpakë dhe i guximshëm, shpirtbutë dhe i prerë në qëndrime. Ishte i tillë sepse jeta nuk e kishte përkëdhelur, herët mbeti pa dashurinë e Nënës, në moshë të re i vdiq nëna Arife.

Baci Rizah besonte se arsimimi dhe dituria do të ishin armët me të cilat do të godasim armikun dhe për këtë i jepte zemër për rrugën që kishte marrë, rrugën e intelektualit dhe rrugën e atdhetarit çlirimtar.

Në vitet ’80, Gjimnazi “Luigj Gurakuqi”, paralelja në Kievë ishte bërë qendër e madhe atdhetarie, me dhjetëra nxënës të burgosur për pjesëmarrje në demonstrata dhe përkrahës të Republikës së Kosovës. Si profesor i shumë patriotëve, në mesin e të cilëve dua ta përmend bashkëveprimtaren, heroinën, Xhevë Krasniqi Lladrovcin, dhe mësuesin Avdyl Krasniqin.

Për veprimtarinë atdhetare kundër pushtetit jugosllav, Daja u dënua me burg në vitin 1982. Burgun e mbajti kryesisht në Novi Sad.

Pas lirimit nga burgu i dytë, Ti Dajë ishte një nga atdhetarët më të respektuar nga rinia në Drenas dhe më gjerë.

Nga regjimi kriminal, Daja u izolua për disa muaj në vitin 1989. Në këto vite, deri sa nuk u largove në mërgim, je shquar si organizator e pjesëmarrës i demonstratave në vitet 1989-1990-1991. Kam kujtime të veçanta nga këto demonstrata, ku profili Juaj ishte udhëzues për veprim dhe aksion.

Pas përgjimeve të vazhdueshme, përndjekjeve, bastisjeve dhe kërkimit të çdoditshëm për Juve dhe anëtarët e grupit tonë nga organet dhe bashkëpunëtorët e regjimit, u largove për Zvicër, në vitin 1993.

Aty, vazhdove në kuadër të LPK-së të angazhoheshe në tubime, ligjërata, fjalime, organizimin e tribunave, mbledhjen e kontributeve, blerjen e armëve dhe organizimin e ushtarëve të UÇK-së, duke qenë anëtar i Kryesisë dhe Grupit të Veçantë, i ngarkuar për organizimin e luftës.

Me fillimin e luftës, falë kontributit të çmuar në organizim, me disiplinë e përkushtim atdhetar, Daja u emërua Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Dua ta theksoj bashkëpunimin e shkëlqyer me Dajën në Tiranë, angazhimin për organizimin sa më të mirë të UÇK-së me ushtarë, armatime, logjistikë si dhe bashkërendimi e bashkëpunimi me institucionet e Republikës së Shqipërisë dhe shtetet aleate.

Të nderuar të pranishëm,

Karakteri i Dajës, kontributi, përkushtimi dhe vendosmëria për ta çliruar vendin, do ta bëjnë të respektueshëm nga të gjithë ushtarët, oficerët, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe nga aleatët tanë.

Kujtoj këtu vendosmërinë dhe urtësinë e Dajës, në kohën e zhvillimit të ngjarjeve historike si gjatë Konferencës së Rambujesë, apo konferencës së Parisit, situata kur matet largpamësia, qëndrueshmëria e ideali, strategjia, vendimmarrja. Kujtoj po ashtu, situatën e bombave në aeroportin e Prishtinës gjatë nisjes për Rambuje dhe ngjarje të shumta që i përjetuam abshkë.

Daja, do të ishte pjesë e të gjitha zhvillimeve pozitive me kontribut për historinë e re të Kosovës.

Këtë biografi të shkëlqyer, nuk do të mund ta baltos asnjë makineri propagandistike, as vendore e as ndërkombëtare. Daja do të qëndroj i pathyeshëm përball akuzave absurde e të pa dinjitetshme, nga persona me të kaluar dhe motive të dyshimta.

Të nderuar të pranishëm,

Sot, me nderim, nga veprimtaria ime e përbashkët e hershme me Dajën dua të cek disa prej tyre që nuk janë të njohura shumë për publikun.

Në vitet ’90-ta, kemi planifikuar dhe bashkorganizuar aksionin kundër urdhërdhënësit, organizatorit dhe vrasësit të heronjve Rexhep Mala e Nuhi Berisha. Për këtë aksion, unë u pajisa nga Daja me një armë moderne për kohën, një Uzi izraelit me mbytës zëri, armë të cilën vite më vonë, pas aksionit të parë në Drenas, në vitin 1992, kundër policisë serbe në Stacionin e Autobusëve ia dhash Hashim Thaçit.

Për kujtesën e të gjithëve dua të sjellë në mendje se mitralozi të cilin e mori Daja nga Baca Ahmet, të cilin e kishin dërguar shokët nga perëndimi do të përdorej nga Adem Jashari deri në rënien e tij heroike.

Më 30 dhjetor 1991 kur u sulmua Adem Jashari dhe familja e tij, në mëngjesin e hershëm u njoftova nga Elmi Zeka dhe me pas takova Jakup Krasniqin i cili më porositi që të shkojë në Kizhnarekë për ti njoftuar dhe marrë Ganiun dhe Azemin. U organizuam bashkë me Jakup Krasniqin, Gani Sylën, Idriz Hysenin, Elmi Shalen, Imer Lladrovcin, Zeq Bekollin e shumë veprimtarë të tjerë.

Azem Sylën, Dajën e kisha lënë në Komoran që të shkonte t’i njoftonte shokët e organizatës në Prishtinë ndërsa unë me Gani Sylën dhe Imer Lladrovcin vazhdova për Drenas. Fillimisht në Prekaz u futëm së bashku me Jakup Krasniqin, Elmi Zeken dhe Zeqir Bekollin. Me Ademin dhe grupin e tij u dakorduam që të takohemi në odën e Gani Kocit. Pas takimit dhe vendimeve që u moren aty, e ktheva Jakup Krasniqin dhe Zeqir Bekollin në Drenas. Aty e lash Jakupin dhe mora Gani Sylën dhe Idriz Hysenin dhe u kthyem në Prekaz për ta ndihmuar Adem Jasharin dhe familjen e tij.

Atë natë Ademin me shokë i tërhoqëm nga Prekazi për t’i vendosur te Elmi Zeka në Abri për të vazhduar natën e dytë pastaj për te Jakup Krasniqi e Shaban Shala.

Pasi i siguruam shokët, Rifat Jasharin duhej nxjerrë jashtë Kosovës, atij i kishte mbetur pasaporta në shtëpi. Pas tre ose katër ditësh, unë, bashkë me Hashim Thaçin shkuam në Prekaz për t’i njoftuar familjarët se Ademi, baca Rifat e Hamza dhe të gjithë shokët janë shëndosh e mire dhe të sigurt. Takuam Lulin i cili kishte dëgjuar lloj-lloj historie sikur ata ishin të vrarë, apo të zënë nga policia dhe ushtria Serbe.

Ademi me kishte dhënë si shenjë që e dinte vetëm Luli, një boks hekuri që të ja jepja atij në shenjë të vërtetësisë se ata janë gjallë dhe të pa dëmtuar, atëherë, Luli u bind dhe ne i kërkuam pasaportën e bacës Rifat të cilit do ti duhet për të udhëtuar nga Shqipëria për në Gjermani pasi ta nxirrnim atje. Fola gjatë për këtë ngjarje sepse Azem Syla e kishte marrë përsipër nxjerrjen e bacës Rifat nga Kosova në Shqipëri.

Për ta nxjerrë Rifat Jasharin nga Drenica deri në Prizren, bashkudhëtuan dhe u përkujdesën Daja Azem me Muhamer Çelën, Jakup e Halim Krasniqin, me pas bashkëveprimtarët tanë nga Prizreni, Alush Shala me shokë, e nxorën në Shqipëri për të vazhduar pastaj në Gjermani.

Në këtë ngjarje të sotme dua të kujtoj edhe aksionin e parë të UÇK-së në Drenas, aksion i cili u krye nga Unë, Hashim Thaçi, Sami Lushtaku, Jakup Nura dhe me prezencën e Elmi Zekës për të cilin nuk kishim armë. Në këtë aksion janë përdorur dy armë automatike, AK 47, Uzi izraelit, dhe një Te-te.

Njërin nga automatikët që e kam siguruar nga Shaban Zymberi, mik e bashkëveprimtar i vjetër i yni, Daja e bleu atë automatik i cili hyri në përdorim deri në përfundimin e luftës, për këtë dua të them edhe një herë faleminderit Dajë.

Krisma e atyre armëve të para nuk u ndal, deri në çlirimin e vendit, krisma që i dhanë jehonë e jetë kauzës tonë çlirimtare. Në fillim ishim pak por pas Epopesë së UÇK-së dhe Jasharajve legjendarë, u bënë me qindra e mijëra ushtarë nga të gjitha trojet tona.

Të nderuar të pranishëm,

Kjo veprimtari e përbashkët, na mbledh edhe sot, për të shprehur nderim, për njeriun e fjalëve të pakta e veprave të mëdha, Azem Sylën – Dajën.

Faleminderit Dajë për krejt çka ke bërë për kombin, për Kosovën!

Nderim për të gjithë ata që kontribuojnë me “Pllakë Nderi”, për meritorët tanë, për shokët e bashkëluftëtarët e veprimtarët, bijat e bijtë më të mirë të kombit.

Faleminderit!

https://www.facebook.com/share/p/9jZ6L8a72gRVDkk7/?mibextid=WC7FNe

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mediave të huaja që shkruajnë për zhvillimin turistik të Shqipërisë…