Krasniqi: Kurti është mosbesues për ShBA-në

17 mars 2024 | 15:11

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, ka komentuar deklaratat e zëvendësndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, për zhgënjimin që ka ShBA-ja ndaj qeverisë Kurti, derisa ai tha se s’ka arritur ta bindë kryeministrin që të ndryshojë vendim për çështjen e dinarit.

Krasniqi ka thënë se zhgënjimi është edhe nga shtetet e Evropës, ndërsa që raportet me ShBA-në sipas saj s’kanë qenë kurrë më të acaruara.

“Ju besoj i keni dëgjuar tashmë edhe deklaratat e zëvendësndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, se zhgënjimi me qeverinë Kurti, nuk është vetëm në ShBA, por edhe në Bruksel, Romë, Berlin e Paris. Raportet me ShBA-në nuk ka qenë asnjëherë më të acaruara se sa tani në këtë periudhë të qeverisjes nga Lëvizja Vetëvendosje dhe jo vetëm, sepse ju e dini që si rezultat i mos koordinimit edhe me BE-në, Kosova sot vuan disa sanksione të vendosura dhe mjaftë të dëmshme për vendin”, ka thënë ajo për “Blic”

Deputetja Krasniqi ka vlerësuar se Kurti e ka humbur besimin e ShBA-së dhe politikat e tij të gabuara e kanë sjellë vendin në këtë gjendje, pas mbështetje të partnerëve e pa stabilitet politik.

“Kurti është kthyer në mosbesues të ShBA-së, ata nuk i besojnë Kurtit dhe se politikat e tij të gabuara e sollën situatën në këtë gjendje, në kohën kur ne është dashur të kemi mbështetjen e partnerëve kryesorë të shtetit tonë, ne po ndëshkohemi nga ta. Kosova është kthyer një vend që nuk ka stabilitet politik dhe nuk ka qëndrueshmëri”, ka thënë Krasniqi.

Ajo ka thënë se Kosova s’del mirë në asnjë raport ndërkombëtar e ministrat e Kurtit dështojnë në çdo sektor.

“Në asnjë raport ndërkombëtar Kosova nuk është se del mirë, ministrat e kësaj qeverie po dështojnë në secilin sektor, kanë mbetur të izoluar në Kosovë, nuk i shohim në asnjë vizitë të rëndësishëm”, ka thënë deputetja Krasniqi.

Krasniqi e ka ftuar Kurtin që të raportojë në Kuvend për të gjitha kompromiset që po i bën, përfshirë vendimin për Manastirin e Deçanit.

“Ne do e ftojmë në Kuvend për të raportuar për të gjitha kompromiset që po i bën ne emër të Kosovës, përfshirë edhe këtë të fundit me tokat e Manastirit të Deçanit, që nuk besojmë se do të jetë i vetmi”, ka thënë deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, ka…