Kurti e Bislimi ‘i hëngrën’ fjalët, dinari bëhet pjesë e negociatave në Bruksel

19 mars 2024 | 20:36

Nga fjalia “ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori” tek data që e caktuan sot në takim që t’i dorëzojnë propozimet për zgjedhjen e çështjes së dinarit, qysh zëvëndëskryeministri Besnik Bislimi bashkë me shefin e tij Albin Kurtin i hëngrën fjalët e tyre dhe u ulën me Serbinë të diskutojnë çështjet e brendshme të Kosovës. Periskopi në vazhdim ju sjell një përmbledhje të deklaratave të tyre që nuk i qëndruan pas…

Me të hyrë në fuqi ndalimi i përdorimit të dinarit serb në Republikën e Kosovës pati reagime të shumta si nga Serbia poashtu edhe nga ShBA e BE.

Ani pse mori në vazhdimësi kritika të ashpra nga aleatët ndërkombëtarë, Qeveria e Kosovës ishte shprehur e vendosur se “çështja e dinarit nuk duhet të diskutohet në Bruksel”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte thënë se kjo është çështje e brendshme e Kosovës.

“Në katër komunat në veri janë katër degë të bankave dhe janë 15 institucione financiare jobankare, ku do të mund të dërgohen dërgesat e pagesat dhe ku do të mund të merren të gjitha ato në euro. Euroja është valutë që na vjen nga BE-ja, ne nuk jemi duke i thënë askujt merre valutën lekë të Shqipërisë apo një valutë të re Dardan të Kosovës, por euron. Euro si mjeti i vetëm i pagesës edhe i shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në RKS, nuk është një çështje e negociueshme”, kishte deklaruar Kurti më 31 janar.

Edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte thënë se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut.

“Çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut, unë shkoj kur të diskutohet marrëveshja themelore, kështu që do të shohim kush mund të shkojë të flasë për çështjen e dinarit”, është shprehur Bislimi.

Më i ashpër në këtë drejtim ka qenë deputeti i VV-së, Dimal Basha.

“Dinari nuk është valutë e Republikës së Kosovës, këtë gjë e di edhe Lajçaku dhe Borelli, kështu që nuk është temë që e trajton Kosova. Është paradoksale me thirrë BE për me debatu për dinarin kur vet BE e ka valutë euron”, kishte shkruar Basha në profilin e tij në “Facebook”.

Përveç Besnik Bislimit i cili sot zhvilloi takim me kryenegociatorin serb Petar Petkoviq, në Bruksel diskutimet për dinarin i kishte nisur guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili.

Ismaili ishte shprehur se në takim ishin diskutuar modalitetet teknike se si mundet të vazhdojë financimi nga Serbia, përmes kanaleve ligjore dhe transparente në llogari bankare të përfituesve në euro, bazuar në propozim e BQK-së dërguar te Banka Popullore e Serbisë”.

“Vendim katastrofal” – Kritikat e ShBA-ve për dinarin

Nga ShBA u shprehen se vendimi për dinarin është “katastrofal”.

Kështu kishte thënë emisari amerikan Gabriel Escobar, derisa i njëjti për këtë çështje kishte ardhur në Prishtinë të takohet me kryeministrin Albin Kurti.

“Pra neve na duhet që Kosova të punojë me komunitetin ndërkombëtar të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për këtë, do thosha, vendim katastrofal madje edhe vendim jokompetent i zbatimit të një vendimi që ka shkaktuar kaos në ekonominë e Kosovës”- kishte deklaruar Escobar.

Ndërsa pas takimit që pati me kryeministrin Kurti para pesë ditëve, Escobar u shpreh se kryeministri do t’i marr parasysh disa propozime që ia kishte bërë.

“Mund të them që patëm një diskutim të mirë. Kryeministri do t’i marrë parasysh disa propozime që i kam bërë sot. Çdo gjë që kemi bërë këto vite ka qenë në favor të Kosovës. E kemi mbështetur Kosovën në të gjitha proceset demokratike. Kemi qendëruar përkrah Kosovës. Çdo gjë që kemi bërë ka qenë në favor të Kosovës. Kosova të dëgjojë brengat tona dhe nuk do të duhej të ishte e vështirë. “ – tha Escobar.

Ndryshe së fundmi kryeministri Kurti ka folur për dinarin në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ku u shpreh se “por nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që janë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së”

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjermania dhe Franca kanë mangësi të theksuar numerike të forcave…