Hovenieri pas takimit me Bislimin për çështjen e dinarit: Bisedimet vazhdojnë, mund të gjendet zgjidhja

20 mars 2024 | 12:35

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka dalë më optimist nga takimi i sotëm me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Jashtë ndërtesë së qeverisë, Hovenieri ka thënë se dje në takimin e kryenegociatorëve në Bruksel ka pasur “disa shenja pozitive” për ta zgjidhur çështjen e dinarit.

Hovenieri ka rikujtuar se e respektojnë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, por ka përsëritur se janë të shqetësuar për ndikimin që mund të ketë rregullorja e re në komunitetin serb.

“Siç tha kolegu im dje, jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë në popullatën e cenueshme, posaçërisht komunitetin serb të Kosovës dhe mendoj që është me rëndësi që të ndryshohet mënyra e zbatimit dhe bisedimet tona për këtë çështje vazhdojnë”, ka thënë ambasadori amerikan.

Më tutje, Hovenieri ka thënë se ka mundësi për t’u gjendur një zgjidhje.

“Është mirë të shohim që ka mundësi që të dy palët ofrojnë rrugëzgjidhje se si mund të bëhet kjo, si dhe përgjegjësitë e zotit Lajçak”, ka thënë ai.

Hovenieri ka thënë se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk i ka dhënë ndonjë propozim për zgjidhjen e çështjes së dinarit, por ka bërë me dije se “qeveria është duke punuar në këtë drejtim”.

“Dëshirojmë të jemi konstruktiv”, ka thënë Hovenieri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forca Ajrore e Shteteve të Bashkuara tha të martën se…