Muralet në Kuvend s`i prek as Konjufca: Thotë se zbulimi do të bëhej problem

23 mars 2024 | 09:01

Muralet me motive kombëtare që janë të vendosur para 20 viteve në hollin e Kuvendit të Kosovës nuk do të preken as nga kryetari aktual Glauk Konjufca.

Ky i fundit, e ka pranuar se zbulimi i pikturave, të cilat janë vendosur në muret e Kuvendit në vitin 2004, do të bëhej problem i madh, raporton Nacionale.

I pari i Kuvendit duket se ka harruar së në vitin 2015 deputetët e VV-së me tehe të mprehta i kishte grisur mbulojat dhe kishin zbuluar pikturat “Skënderbeu”, “Lidhja e Lezhës” dhe “Lidhja e Prizrenit”.

Pikturat në fjalë janë vendosur pas renovimit të objektit të Kuvendit, por ishin mbuluar në kohen kur Kuvendit drejtohet nga Dexhat Daci.

Një veprim i tillë ishte ndërmarr pas ankesës së deputetëve serbë.

Tani duket së kryeparlamentari Glauk Konjufca i ka rënë pishman për ato veprime.

Ai ka thënë se do të respekton vendimin e paraardhësve të tyre.

“Autoritete e mëparshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës kanë vendosur që ato ngjarje të zëvendësohen më këto dy tjera, më këto dy figura tonat, të cilat pastaj do të bëhet problem më i madh nëse i ndërrojmë. Ato po ashtu e meritojnë vendin e tyre, është Dr. Rugova dhe Nënë Tereza, kështu që, gjithçka që bëjmë në këtë aspekt do të shkaktonte debat më të madh se ky që ishte më përpara”, ka thënë Konjufca për emisionin “Politko” në Kanal 10.

Madje, Konjufca ka thënë se ka harruar se këto piktura janë të mbuluara.

“Dhe t`i po ma kujton, sepse edhe unë vet e paskan harruar. Kështu që, meqenëse më parë është vendosur, jo nga ne, ne nuk dëshirojmë të bëjmë ndryshime, të cilat zgjojnë debate të panevojshme në shoqërinë tonë”, ka thënë Konjufca.

VV-ja kishte dënuar ri-mbulimin e muraleve

Kaq tolerant Glauk Konjufca dhe partia e tij nuk kishin treguar në vitin 2015.

Në kohen kur skena politike ishte nxehur nga kundërshtimi i opozitës për Asociacionin dhe Demarkacioni me Malin e Zi, deputetët e VV-së, AAK-së dhe Nismës kishin vendosur t`i shpalosnin edhe pikturat në hollë.

Në shenjë proteste ndaj pushtetit të PDK-së dhe LDK-së, në tetor të vitit 2015, deputeti i VV-së, Faton Topalli, dhe ai i AAK-së, Pal Lekaj, me mjete te forta kishin grisur mbulojat e muraleve dhe kishin zbuluar pikturat me motive kombëtare.

Kuvendi i Kosovës, që në atë kohë udhëhiqej nga Kadri Veseli, kishte reaguar shpejt dhe kishte mbuluar përsëri pikturat në fjalë.

Një veprim të tillë e kishte dënuar ashpër Lëvizja Vetëvendosje.

Përmes një komunikate për medie, VV-së kishte vlerësuar se Veseli i kishte mbuluar pikturat për të mos u hidhëruar Serbia.

“Kur të gjithë po festonin fitoren e madhe të Kombëtares, Veseli, sikur UNMIK-u më herët, i mbuloi muralet që shfaqin momentet më të rëndësishme kuvendore të historisë, për të mos e zemëruar Beogradin zyrtar”, ishte thënë në reagimin e VV-së.

Pas vendosjen se muraleve, deputetët serbë në Kuvendin e Kosovë ishin ankuar, duke thënë se ato nuk përfaqësonin karakterin multietnik.

Më pas, me kërkesë të UNMIK ato edhe ishin mbuluar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 40 persona janë vrarë dhe më shumë se 100…