Agani: Shqetësuese largimi i profesionistëve shëndetësorë

24 mars 2024 | 11:48

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se largimi i profesionistëve shëndetësorë nga vendi është një dukuri brengosëse dhe paralajmëron se brenda disa vitesh vendi mund të përballet me mungesë serioze të ofrimit të shërbimeve shëndetësore.

Agani ka thëna se reforma në sistemin shëndetësor, e cila kishte filluar në vitin 2015 me mbështetje të Bankës Botërore e FMN-së, ishte ndalur dhe aktualisht tërë sistemi shëndetësor është i ngulfatur dhe gjendet në një gjendje të ngutisë dhe të konfuzionit.

“Dukuri tejet brengosëse dhe shumë fatkeqe, posaçërisht për mua si ish-ministër i Shëndetësisë i cili në vitin 2010 e pat dizajnuar reformën e sistemit shëndetësor të vendit dhe mandej gjatë mandatit 2011-2014 e patëm shndërruar atë reformë në një kornizë legjislative të qëndrueshme të mbështetur nga Banka Botërore, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në vitin 2015 filluam me zbatuar atë reformë më ndarjen e kontributeve për të punësuarit në sistemin publik, kontributeve për fondin e sigurimeve shëndetësore dhe në kulmin e shpresave se kjo reformë do të vazhdojë erdhi deri të ndërprerja e vrazhdë e asaj ndërhyrje politike të qartë dhe praktikisht reforma ngeci aty edhe ku u nis në vitin 2015”.

“Për mua kjo është një fatkeqësi e madhe që i ka goditur shoqërinë kosovare qytetarët e vendit. Unë kam qenë thellë i bindur që 10 vite pas fillimit të reformës ne do të krenohemi në Kosovë me një sistem shëndetësor më bashkohor. Një sistem shëndetësor të ndërlidhur me sistemet e sigurimeve shëndetësore të Evropës duke pasur parasysh faktin se kemi një demografi specifike, kemi mbi 700 mijë bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë vendit, shumica prej tyre të siguruar në fonde shëndetësore jashtë vendit dhe ka qenë gjithmonë ideja që Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) të kontraktohet nga këto fonde të sigurimeve shëndetësore të jashtme, në mënyrë që së paku për bashkatdhetarët tanë të ofrojë shërbime në Kosovë për ta. Është dukuri shumë brengosëse dhe është prej humbjes së perspektivës së këtyre profesionistëve të sistemit shëndetësor të vendit, humbjen e besimit të tyre në këtë sistem shëndetësor, si në aspektin e zhvillimit profesional ashtu edhe në aspektin material”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka komentuar takimin e fundit…