Plaga e madhe e Poklekut të Vjetër, me gjak dhe me mall

01 prill 2024 | 09:06

Berat Armagedoni

Më 17 prill është përvjetori i masakrës së Poklekut të Vjetër. I një prej akteve të shumta gjenocidale të Serbisë ndaj popullatës shqiptare në Kosovë. Dje shkova për vizitë në  shtëpinë e Muçollëve. Shkova dhe pashë gjurmët e masakrës dhe aktet e gjenocidit. I takova edhe Fadil Muçollin, Xhavit Muçollin, Skënder Muçollin në shtëpi. Se çfarë ka ndodhur në shtëpinë e tyre më 17 prill 1999 kam mësuar nga të mbijetuarit, nga disa dëshmitarë, nga disa luftëtarë, rrëfimet e të cilëve i kam lexuar në dorëshkrimin e librit të Afrim Hysenajt që ka përgatitur për botim.

Në pasditen e së shtunës të datës 17 prill të vitit 1999, rreth orës 17:00, forcat e armatosura serbe në shtëpinë e Sinan R. Muçollit, kanë vrarë, masakruar dhe djegur 53 anëtarë të familjeve Muçolli nga Pokleku, Caraku nga Dobrosheci, Elshani nga Korrotica e Poshtme dhe një anëtar të familjes Hoxha nga fshati Korroticë e Epërme. Vend i aktit gjenocidal, përveç shtëpisë së banimit, ishte edhe shtëpia e vjetër afër shtëpisë së re, pronë e Sinan Muçollit. Po ashtu, ishte edhe oborri, pronë e Halil R. Muçollit, në të cilin janë vrarë dhe djegur Sinan Muçolli dhe shkrimtari Ymer Elshani, pastaj janë hedhur në bunarin që ndodhet në oborrin e Halilit. As foshnjat gjashtëmuajshe e as pleqtë mbi 70-vjeçar nuk janë kursyer nga forcat e armatosura serbe.

Shtëpia e Muçollëve në Poklek të Vjetër ende ruan gjurmët e masakrës. Gjurmët e granatave e të plumbave edhe sot në mure, flasin shumë. Brenda kësaj shtëpie, që tashmë është shndërruar në muze, dëshmi e barbarisë serbe është gjaku i njerëzve shpërndarë në muret e saj. Një lumë gjaku kishte shpërthyer pllakën e betonit dy dekada më parë dhe gjurmët e tij ende janë në tavanin e bodrumit të kësaj shtëpie, në dhomën sipër së cilës forcat e armatosura serbe i kishin vrarë e më pas bërë shkrumb e hi 51 civilë shqiptarë, prej tyre 23 fëmijë.

Dyert e oborrit dhe të shtëpisë na i hapi Fadili, i biri i Sinanit. Dyert e dhomave ishin të hapura. Na tregoi shtëpinë dhe gjësendet një  për një. Edhe për rrobat e anëtarëve të familjes na tregoi të kujt ishin: “Kjo ka qenë  këmisha e nanës, ky fustani i gruas, ky xhemperi i djalit, këto çorapët e vajzës, kjo arka e nanës, ky çejzi i gruas…”. Çfarë ka pasur mundësi të ruajë, ka ruajtur. Dhe nuk ka mbledhur dhe ruajtur pak. Me ato që i ka dhe i sheh çdo ditë në shtëpi, shuan mallin e madh që ndien për familjarët.

Rrëfimin e Fadilit, për ndodhinë e 17 prillit të 1999-s, para dhe pas kësaj date, do ta publikoj në përvjetorin e masakrës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka bërë betimin qeveria e re palestineze. Kabineti i udhëhequr…