Ali Ahmeti, “Qytetar Nderi i Prizrenit”

02 prill 2024 | 12:14

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti është shpallur të martën qytetar nderi nga Kuvendi Komunal i Prizrenit.

Në një seancë të asamblesë komunale, asamblistët kanë votuar që Ahmeti të shpallet “Qytetar Nderi”.

Gjatë ceremonisë, për të numëruar të arriturat e jetës dhe veprimtarisë së Ali Ahmetit, përveç kryetarit të komunës Shaqir Totaj fjalë rasti patën edhe përfaqësues të të gjitha partive politike në Kosovë përfshirë këtu Vetëvendosjen, LDK-në, PDK-në, AAK-në si dhe përfaqësues nga partitë e komunitetit turk dhe boshnjak.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj tha se sot është një moment i rëndësishëm dhe se vetë vepra e Ali Ahmetit flet.

“Është moment i rëndësishëm ky i sotshmi për të shpallur qytetar nderi z. Ali Ahmeti dhe për këtë iniciativë nuk kemi pasur asnjë dyshim, ndaj ne si qytet i lidhjes dimë të nderojmë njerëz të kalibrit si z. Ahmeti. Pse të nderohet Ali Ahmeti? Sepse vetë vepra e tij flet, ai njihet për historinë e tij në luftë e në politikë në Maqedoni dhe rajon. Thonë se kohërat e vështira krijojnë njerëz të fortë dhe njerëzit e fortë ndryshojnë rrethanat dhe punojnë shumë, e ne në këtë rast kemi të bëjmë me një person të fortë. Ne nuk ndalemi, prandaj është privilegj për mua që me vendim unanim të Asamblesë së Prizrenit të shpallim z. Ahmeti ‘Qytetar Nderi’ ”, tha Totaj.

Duke falënderuar kryetarin Totaj dhe asamblistët komunalë, kryetari Ahmeti tha se lidhja na e ka mbajtur shpirtin gjallë, edhe pas lidhjes. “Na e ka mbajt shpirtin gjallë sepse na mësoi se si të mos etemi të ndërtojmë program deri në çlirim, sepse vet lidhja e Prizrenit ishte një platformë për zhvillimin e tokave shqiptare”, ka thënë Ahmeti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kujtim, kushtuar 25 vjetorit te intervenimit të NATO-s mbi forcat…