Gjykata e njeh Ziadin Selën kryetar të Aleancës për Shqiptarët

02 prill 2024 | 17:37

Gjykata në Tetovë, të martën, ka vendosur që vulat e Aleancës për Shqiptarët – parti në Maqedoninë e Veriut –  t’i takojnë Ziadin Selës, pas kontestit gjyqësor që ky i fundit ka pasur me anëtarin e kësaj partie, Arben Taravarin.

Siç ka mësuar Klan Maqedonia, Gjykata e Tetovës e ka njohur Ziadin Selën si kryetar të Aleancës për Shqiptarët.

Mospajtimet në partinë e dytë më të madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, kanë lindur pas vendimit të Taravarit për t’u bashkuar me opozitën shqiptare atje – Lëvizjen Besa, Alternativën, Lëvizjen Demokratike dhe eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje – për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen në maj të këtij viti.

Krahu tjetër, i udhëhequr nga Sela, kanë kundërshtuar këtë vendim, pasi që kanë thënë se Taravari nuk ka respektuar vendimet e organeve të partisë, të cilat kishin vendosur se ASH do të garonte e vetme në zgjedhje.

Për këtë arsye më 18 shkurt në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Aleancës për Shqiptarët është shkarkuar kryetari Arben Taravari, derisa në krye të kësaj partie është rizgjedhur Ziadin Sela.

Ky kongres – që nuk njihet nga mbështetësit e Taravarit, dhe vetë ai – erdhi një ditë pasi që krahu i tjetër i partisë së udhëhequr nga Taravari, mbajtën një tjetër kongres nga ku u ndryshua statuti i partisë, dhe u shkarkua Kryetari i Kuvendit Qendror, Zijadin Sela.

Ndryshe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) – partia më e madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut – Ali Ahmeti, dhe lideri i Aleancës Shqiptare (ASH), Ziadin Sela, mbrëmjen e së shtunës kanë nënshkruar marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet që do të mbahen në maj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka shkuar në 29 numri i personave të vdekur nga…