Ambasada britanike: S’ka asnjë model të Irlandës së Veriut që mund të imponohet si ‘zgjidhje për Kosovën’

05 prill 2024 | 16:51

Mbretëria e Bashkuar (Britania e Madhe) beson se ka gjëra që Kosova dhe Serbia mund t’i mësojnë nga Marrëveshja e së Premtes së Mirë, e cila para 26 vjetësh i kishte dhënë fund dhunës së gjatë në Irlandën e Veriut.

Ambasada e britanike në Kosovë, ka thënë në një përgjigje për gazetën “Express” se nuk ka asnjë model të tillë që mund të imponohet për zgjidhjen e çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Mbretëria e Bashkuar mbetet plotësisht e përkushtuar për ta mbështetur Dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja e së Premtes së Mirë u negociua dhe i ka qëndruar provës së kohës si rezultat i të gjitha palëve që demonstruan një përkushtim ndaj dialogut dhe pajtimit. Edhe pse ne besojmë se ka mësime që mund të mësohen nga ky proces i paqes, nuk ka asnjë ‘model të Irlandës së Veriut’ që mund të imponohet si një ‘zgjidhje për Kosovën’”, është thënë t në përgjigjen e ambasadës britanike.

I dërguari i posaçëm i Mbretëria e Bashkuar, Stuart Peach, e kishte përmendur Marrëveshjen e Belfastit si shembull për arritjen e pajtimit me respekt, lëshime dhe negociata.

“Unë flas si një britanik për t’ia kujtuar audiencës se pas vitesh vërtet të vështira, 25 vjet më parë të dyja palët në Irlandën e Veriut u ulën dhe krijuan Marrëveshjen e së Premtes së Mirë dhe ajo i qëndroi kohës. Dhe ky është një mësim i mirë për pajtim. Pra, ka të bëjë me respektin, ka të bëjë me lëshimet, negociatat, por mbi të gjitha ka të bëjë me vazhdimin e dialogut”, kishte deklaruar Peach më 4 mars, në një panel diskutimi për sfidat dhe mundësitë në Ballkan në Forumin e Diplomacisë në Antalya.

Britaniku është pritur të enjten në Prishtinë nga krerët e shtetit. Në takimin me të, kryeministri Albin Kurti, siç ka njoftuar qeveria “ndau me Lord Peach reflektimet e tij për vizitën që kishte në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, si dhe takimet në Irlandën e Veriut në fund të muajit shkurt të këtij viti”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim…