Sot ka ditëlindjen e 99-të profesor Sami Repishti

06 prill 2024 | 20:49

Nga Blerim Reka, Ambasador, Shef i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York

Një shekull i intelektualit dhe atdhetarit shqiptar, nuk përmblidhet dot në këto pak rreshta. Aq më pak purgatori nëpër të cilin kaloi ai dhe familja e tij gjatë tri regjimeve totalitare: fashiste, naziste e komuniste.
Me diplomë të Firences, me specializim të Sorbones dhe doktoratë të Nju Jorkut, profesori i Adelphy University të Nju Jorkut dhe autor i qindra studimeve, Sami Repishti mbetet njeriu-institucion i shqiptarisë.
Profesor Repishti është i pari shqiptaro-amerikan që në vitin 1965 dëshmoi për Kosovën në Kongresin Amerikan, për të vazhduar me dekada luftën për të vërtetën e Kosovës, me kontributin e tij kolosal në vitet më të rënda për shqiptarët e Kosovës: midis represionit vrastar të Rankoviqit dhe shuarjes se përgjakshme tëdemonstratave të viteve 1968 e 1981.
Me profesor Arshi Pipën do të organizojnë konferencën ndërkombëtare për Kosovën në Nju Jork (1982) kur do të demantonin propagandën jugosllave dhe do të shpalosnin të vërtetën tragjike që po ndodhte në Kosovë. Dy vite më vonë, po me prof. Pipën do të editonte librin “Studies of Kosova”, që do të ndryshonte jo vetëm mendimin akademik amerikan e botëror por edhe do të zgjonte diplomacinë e pergjumur.
Në njërin nga komunikimet tona do të shkruante:
“… faleminderimet e mia per ftesen me marre pjese ne celebrimin e 15 vjetorit te pavaresise shtetnore te Kosoves juej dhe timen. Me vjen keq qe nuk mund te marr pjese ne kete festim per nji event historik siç ashte pavaresia, por mosha ime e avancueme me pengon me levize.
Ju deshiroj me gjithe zemer nji festim te kandshem dhe kuptimplote, si ju ashtu edhe
bashkepunetorve tuej,e te gjithe popullit vella kosovar. Rrofte Kosova e Lire, e
Pavarun, Demokratike, e Bashkueme dhe Europiane.
Sinqerisht i jueji
Sami Repishti, PhD.”
Në 75 vjetorin e lindjes, ai do të nderohej nga Kongresi i SHBA, e neve na mbetet ta nderojmë përjetësisht.
Sado të shkruajmë për të madhin Sami Repishti është pak.
Urime ditelindjen profesor!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy persona u vranë dhe shtatë u plagosën, duke përfshirë…