KQZ-ja sqaron vendosjen e kamerave në vendvotime për votimin e 21 prillit në veri

11 prill 2024 | 12:51

Komisionin Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dhënë disa sqarime në lidhje me vendosjen e kamerave në vendvotime për votimin e 21 prillit, ku do të votohet për largimin e kryetarëve të katër komunave veriore.

KQZ-ja ka bërë me dije se ky nuk është nj vendim që përfshin vetëm procesin e votimit më 21 prill.

Përmes një njoftimi, ky institucion ka treguar se ky vendim do të vlej për të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore kurdo që ato do të mbahen.

“Lidhur me planifikimet për të vendosur kamera në vendvotime, KQZ sqaron se ky nuk është një vendim që përfshin vetëm procesin e votimit më 21 prill 2024, por do të vlejë për të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore. për këtë temë duhet të mbahen parasysh disa çështje. Së pari, vendosja e kamerave në vendvotime është planifikuar gjatë hartimit të akteve nënligjore nga KQZ, më saktësisht me Rregulloret Zgjedhore Nr. 11/2024 për Këshillat e Vendvotimeve dhe Nr. 12/2024 për votimin, numërimin dhe menaxhimin e Vendvotimit. Këto dhe Rregulloret tjera Zgjedhore nuk janë të hartuara vetëm për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill, por do të vlejnë edhe për proceset e ardhshme zgjedhore”, është thënë në njoftimin e KQZ-së.

Më tutje, KQZ-ja ka sqaruar qëllimin e vendosje së këtyre kamerave.

“Së dyti, vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim. Sipas vlerësimeve të KQZ-së, në ditën e zgjedhjeve, në Qendra të Votimit, përkatësisht në Vendvotime, në proceset zgjedhore nga viti 2009 deri në vitin 2021 janë evidentuar parregullësi të cilat kanë ndikuar në integritetin, koston dhe besimin e publikut në zgjedhje. Në proceset zgjedhore 2009-2021 mesatarisht janë rinumëruar 36% e vendvotimeve dhe kjo ka ndikuar në rritjen e kostos së zgjedhjeve dhe rënien e besimit të akterëve në administrimin e procesit zgjedhor”, është thënë në njoftimin e KQZ-së, duke dhënë edhe sqarime tjera.

“Së treti, edhe sipas procedurës së miratuar nga KQZ-ja, është me rëndësi të sqarojmë se vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesit. Së katërti, ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme, deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, që sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme bëhet brenda 60 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Dhe, së fundmi, KQZ në ditën e votimit nuk do t’i monitorojë këto kamera, pra regjistrimi do të bëhet në mënyrë pasive. Në videoregjistrim mund të sigurohet qasje vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese: KQZ-së, PZAP-it, prokurorisë apo gjykatës dhe jo në rrethana tjera”, ka njoftuar KQZ-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të enjten në…