Avokati: Martin Berishaj nuk e ka asnjë borxh, intervistimi i tij ka zgjatur dy orë e gjysmë e jo 8 orë

11 prill 2024 | 18:58

Avokati i Martin Berishajt, mbasadorit të Kosovës në Kroaci, Tomë Gashi ka thënë se ndaj klientit të tij, nuk do të ngritet ndonjë aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Gashi ka thënë se Berishaj është intervistuar vetëm 2 orë e gjysmë e jo tetë.

“Martin Berishaj është i dyshuar për tri vepra penale, nëse shiqohen ato pa ndonjë ndikim politik, nuk ka me pas kurrfarë arsye për me u akuzu. Martin Berishaj ka kërku vetë me shkrim që të shkoj në Prokurori që të jap sqarime. Nuk është me rëndësi sa ka zgjat intervistimi, ai ka zgjat disa orë, disa orë i kemi humb derisa janë rregullu proces verbalet”, është shprehur ai në T7.

Avokati Gashi u shpreh se Martin Berishaj ka prezantuar disa dokumente që nuk e ka asnjë borxh ndaj shtetit kroat.

“Nëse e marrim në mënyrë efektive, intervistimi ka zgjat dy orë e gjysmë, marrja në pyetje ndaj tij ka filluar rreth orës 10:00, jo ashtu siç është thënë prej orës 08:00. Dokumenti që i është dhënë prokurores së rastit i përket ATK-së në Kroaci, që klienti im nuk e ka asnjë borxh, pra të gjitha tatimet i ka paguar”, ka deklaruar ai.

Për dyshimet e përfshirjes në aferë financiare Prokuroria Speciale e Kosovës, ka intervistuar më 29 mars ambasadorin Martin Berishaj.

“Shpëlarja e parave”, “Shmangia nga tatimi”, “Mosraportimi ose raportimi i rremë , i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, janë tri veprat për të cilat Prokuroria Speciale e Kosovës (PRSK), e ka intervistuar ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, të premten e 29 marsit 2024.

Përmes një komunikate për media në të cilën është thënë se informimin po e bëjnë për shkak të kuriozitetit të madh të mediave dhe opinionit publik është theksuar se Berishaj është ftuar edhe më herët për intervistim nga ky institucion.

Por, që i njëjti kishte kërkuar që intervistimi i tij të shtyhet, “për shkak të angazhimit të tij si ambasador”.

“Ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale”, thuhej në komunikatë.

Skandali Martin Berishaj

Në maj të vitit 2022, televizioni slloven “Planet TV”, publikoi disa dëshmi ku dyshohej se rreth 600 mijë Euro të derdhura në xhirollogaritë e biznesit të Berishajt në Mal të Zi, gjatë periudhës kohore 2019/2020, janë nga filiali në Beograd i GEN-I – një rrjet slloven për tregtim të energjisë i shtrirë në tërë rajonin.

Ndonëse në Slloveni u duk si një aferë për efekt elektoral, tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të 24 prillit atje, zbulimi i mediumit slloven rezultoi tejet i rëndësishëm edhe për Kosovën – me një ambasador të shtetit të përfshirë në dyshime për shpëlarje parash, me biznes të fshehur në Mal të Zi, me para të derdhura nga Serbia në llogaritë e tij, nga një kompani sllovene.

Televizioni slloven raportoi se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës [transportuesit] të parave dyshohet se e ka kryer ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj përmes “MB Consulting”.

Ky televizion ka dëshmuar me dokumente tërheqjen në kesh të rreth 600 mijë eurove, por jo edhe pjesën tjetër të pretendimit se ato i janë dhënë Robert Golobit, ish-drejtor i GEN-i, dhe tani politikani që i ka fituar zgjedhjet e fundit në Slloveni. Ai, sikurse edhe Berishaj, i kanë mohuar akuzat dhe raportimet e televizionit slloven.

Ndërsa një hulumtim i Gazetës Online Reporteri.net i publikuar në maj të vitit të kaluar kishte zbuluar afër 2 milionë Euro të hyra në xhirollogaritë e “MB Consulting”, biznesin e Martin Berishajt në Mal të Zi, në më pak se 5 vite – nga fundi i vitit 2016 deri në vitin 2020.

Në hulumtimin e bërë nga Gazeta Online Reporteri.net në maj të vitit 2022, dëshmohet se ambasadori aktual i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në llogarinë bankare të kompanisë së tij të regjistruar në Mal të Zi, ka pranuar afër 2 milionë euro përgjatë viteve 2016 deri në vitin 2020. Ndërsa e dëshmuar me dokumente, sipas televizionit slloven, është se Berishaj gjatë viteve 2019 dhe 2020, i ka tërhequr në kesh rreth 600 mijë euro nga xhirollogaria e “MB Consulting”. Tutje, sipas Planet TV të gjitha të hyrat në xhirollogaritë e “MB Consulting” janë nga filiali në Serbi i GEN-i.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një incident i rëndë është shmangur sot gjatë protestës së…