Gërvalla i bën thirrje diasporës të marrë pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë (video)

12 prill 2024 | 14:14

Kosova ka nisur regjistrimin online të diasporës në kuadër të procesit të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Kjo për arsye që edhe diaspora si pjesë e pandashme e Kosovës të marrë pjesë në këtë proces i cili do të ndihmojë shumë në zhvillimin dhe hartimin e politikave efikase, të dedikuara për mërgatën, përmirësimin e shërbimeve ndaj mërgatës dhe në planifikimet më të mira për të ardhmen.

Me këtë rast, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, i ka bërë thirrje diasporës që të regjistrohen dhe të bëhen pjesë e këtij procesi të rëndësishëm për planifikimin e së ardhmes sonë të përbashkët.

Regjistrimi i të gjithë qytetarëve që janë lindur në Kosovë ose që kanë prejardhje nga Kosova, por që jetojnë jashtë Kosovës mund të bëhet përmes formularit online që gjendet në: ediaspora.rks-gov.net.

Moduli i regjistrimit të diasporës po implementohet në kuadër të platformës e-Diaspora, dhe përfshinë iniciativën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës për mbështetjen e procesit të regjistrimit të pjesëtarëve të diasporës.

Regjistrimi i Popullsisë realizohet nga data 5 prill deri më 17 maj 2024, dhe përfshinë një prej proceseve më të rëndësishme zhvillimore për vendin. Diaspora është pjesë integrale e shoqërisë kosovare, andaj pjesëmarrja e çdo pjesëtari të Diasporës është kontribut i drejtpërdrejtë për këtë proces të rëndësishëm për vendin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Romani «Eskadronët e Vdekjes»(kronikë e një kasaphane) - një sakrament…