Grupi BEI bën plan për ta rritur mbështetjen për sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes në Evropë

16 prill 2024 | 11:42

Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve (Grupi i BEI-t) do të përditësojë politikat dhe kuadrin e tij për kreditimin lidhur me sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kjo përfshinë një përditësim të përkufizimit të mallrave dhe të infrastrukturës me përdorim të dyfishtë, si dhe mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) dhe sipërmarrjet e vogla, dhe angazhimin për të përshpejtuar shpërndarjen e fondeve me qëllim forcimin e sigurisë dhe të kapaciteteve mbrojtëse të Evropës.

Plani i veprimit për sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes i Grupit të BEI-t u prezantua kohët e fundit nga presidentja e BEI-t, Nadia Calvino, në takimin e ministrave të Financave të BE-së (ECOFIN) në Luksemburg.

Plani i veprimit vjen pas dy muajve të angazhimit intensiv me palët e interesuara të bankës, palët kryesore të interesit dhe tregjet, dhe vepron sipas mandatit të fundit të Këshillit Evropian për të përmirësuar më tej aksesin në financa për kompanitë evropiane në fushën e mbrojtjes, duke mbrojtur njëkohësisht kapacitetin financues të Grupit të BEI-t. “Ne do të shtojmë dhe përshpejtojmë mbështetjen tonë për sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes të Evropës, duke ruajtur kapacitetin tonë financiar dhe standardet më të larta mjedisore, sociale dhe të qeverisjes. Si krahu financiar i BE-së, ne duhet të kontribuojmë në garantimin e paqes dhe të sigurisë së Evropës. Plani i veprimit do të përmirësojë kushtet e financimit për projektet evropiane. Ne do të punojmë së bashku me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së, për të përshpejtuar projektet që sigurojnë mirëqenien e qytetarëve tanë”, tha presidentja Calvino.

Në vazhdim, banka do të heqë dorë nga kërkesa që projektet me përdorim të dyfishtë të nxjerrin më shumë se 50% të të ardhurave të tyre të pritshme nga përdorimi civil. Kjo do ta lidhë Grupin e BEI-t me institucionet financiare publike që kufizojnë financimin e tyre në mënyrë të barabartë në pajisje dhe infrastrukturë, të cilat u shërbejnë nevojave mbrojtëse ushtarake ose të ruajtjes së rendit, si dhe nevojave civile, si zbulimi, survejimi, mbrojtja dhe kontrolli i spektrit, dekontaminimi, kërkim-zhvillimi, pajisja, gatishmëria ushtarake, kontrolli kufitar dhe mbrojtja e infrastrukturës tjetër kritike, si dhe dronët.

Për më tepër, Grupi i BEI-t do të përditësojë rregullat e veta për financimin e NVM-ve në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kjo do të krijojë linja të dedikuara kreditimi për një numër të madh kompanish më të vogla dhe sipërmarrje të reja inovative, të cilat kërkojnë fonde për projekte me përdorim të dyfishtë.

Grupi i BEI-t planifikon gjithashtu të forcojë menjëherë partneritetet dhe bashkëpunimin me palët kryesore të interesuara, duke përfshirë nënshkrimin dhe përditësimin e memorandumeve të mirëkuptimit me Agjencinë Evropiane të Mbrojtjes dhe partnerë të tjerë.

Më e rëndësishmja është se banka planifikon gjithashtu të riorganizojë dhe përmirësojë proceset e saj të brendshme, duke krijuar një grup të posaçëm pune dhe shërbime të njësuara për projektet e sigurisë dhe të mbrojtjes, që do të jenë funksionale deri më 1 maj 2024.

Kjo do të përshpejtojë investimet dhe aksesin në fondet e Grupit të BEI-t për klientët në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes së Evropës për të shpërndarë 6 miliardë euro financime të disponueshme në kuadër të Nismës Strategjike Evropiane të Sigurisë (SESI), dhe kështu do të rrisë më tej mbështetjen tashmë të konsiderueshme të BEI-t për sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes në Evropë sipas kuadrit ekzistues. Propozimet u nënshtrohen proceseve të brendshme të miratimit nga Grupi i BEI-t.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka…