Prindërit kanë rol kryesor në vaksinimin e fëmijëve, t’i mbrojnë ata nga sëmundjet infektive

26 prill 2024 | 13:39

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka theksuar se prindërit kanë rol kryesor në vaksinimin e fëmijëve për të mbrojtur e përparuar shëndetin e tyre dhe për të siguruar një mjedis social që siguron mirëqenien e tyre.

“Informimi dhe edukimi i prindërve për detyrimet që ata kanë në raport me shëndetin e fëmijëve të tyre është mënyra më e drejtpërdrejt për të siguruar për ta informacionin e besueshëm, që t’i vaksinojnë fëmijët dhe t’i mbrojnë ata nga sëmundjet infektive që mund të parandalohen përmes vaksinimit”, ka njoftuar IKSHPK-ja.

Kosova ka aplikuar gjatë këtij viti tre vaksina të tjera në kalendarin e rregullt të vaksinimit: Vaksinën kundër Human Papilloma Virusit (HPV), e cila parandalon më shumë se 90% te kancereve të lidhura me Human Papilloma Virusin, që është shkaktari më i shpeshtë i kancerit të qafës së mitrës; Vaksinën kundër Pneumokokut (PCV), që mbron nga shkaktarët e sëmundjeve, si pneumonia (infeksion i mushkërive), meningjiti dhe bakteremia (sepsa); Vaksinën kundër Rotavirusit (Rota), për t’i mbrojtur fëmijët, sidomos fëmijët e vegjël para se të arrijnë moshën 5 vjeçare, nga ky virus që shkakton diarre, të vjella, dhimbje barku dhe temperaturë të lartë.

“Angazhimi i prindërve nga të gjitha komunitetet në biseda konstruktive, duke ndarë me ta informacione të besueshme, i ndihmon ata që të kujdesen dhe të sigurohen që fëmijët e tyre t’i marrin të gjitha vaksinat e parapara në Kalendarin e rregullt të vaksinimit”, ka njoftuar IKSHPK-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti kinez, Xi Jinping, të premten i ka thënë kryediplomatit…