Rritja e sulmeve fizike dhe fushatave njollosëse ndaj gazetarëve, shqetësuese

03 maj 2024 | 16:39

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në Ditën e Lirisë Ndërkombëtare të Shtypit, ka vizituar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Gjatë një takimi me përfaqësuesit e AGK-së, ambasadori i BE-së, ka theksuar rolin vendimtar të mediave të lira dhe të pavarura në aftësimin e publikut për të marrë vendime dhe për t’i mbajtur përgjegjës ata që janë në pushtet.

Ai ka theksuar “imperativin e heqjes së barrierave që mund të pengojnë lirinë e medias dhe shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të sulmeve fizike, kërcënimeve, fushatave të njollosjeve publike dhe gjuhës së urrejtjes drejtuar gazetarëve, veçanërisht gjatë raportimit të vitit 2023 nga veriu i Kosovës”.

Në njoftimin e Zyrës së BE-së për këtë takim është thënë se bashkëbiseduesit kanë folur edhe për rëndësinë e verifikimit të fakteve në zbutjen e ndikimit negativ të dezinformatave dhe për projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, të cilin BE-ja po e ndjek me vëmendje.

Në fund, ambasadori i BE-së në Kosovë, ka përgëzuar mbështetjen e AGK-së për gazetarët ukrainas dhe afganë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), së bashku me misionin…