Komisioni për Buxhet nuk i jep mbështetje Projektligjin për banim social

08 maj 2024 | 14:08

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, te mërkurën ka shqyrtuar projektligjin për ratifikimin e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për Projektin banim social adekuat.

Ankesa për këtë projekt kanë pasur deputetët e pozitës dhe opozitës, të cilët kanë kritikuar vonesat në realizimin e këtij projekti.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se përveç studimit të fizibilitetit, për këtë projekt nuk ka asnjë studim tjetër të detajuar.

“Kreditë po merren pa përgatitjet e nevojshme e pastaj po shtyhet afati i ekzekutimit të tyre. Marrëveshja është miratuar në Këshillin Administrativ dhe ju e keni nënshkruar në janar. Përgatitjet për këtë projekt janë zero. Është vetëm një studim i fizibilitetit dhe përtej saj nuk ka asnjë studim të realizuar se sa është numri i ndërtesave sociale, sa është kosto, si do të adresohet kjo çështje”, tha ai.

Ndërsa zëvendësministri i Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Jeton Raka, ka thënë se përmes grantit në vlerë 2 milionë euro do bëhen renovime të banesave dhe ndërtime të shtëpive për qytetarët, varësisht nga kërkesat e komunave.

“Sigurimin e banimit për qytetarët në nevojë objektivi kryesor është zhvillimin social. Kemi dy komponentë kyçe, banimi adekuat social, renovime, banesa ekzistuese, shndërrimin e banesave sociale të reja. Komponenta e dytë janë shtëpitë individuale, ndërtimi i tyre për familjet më të ardhura të ulëta. Projekti do zbatohet me komuna gjithçka do jetë transparente, bëhet identifikomi i lokacioneve, pas thirrjes publike komuna do bëjnë analizën e projektit  një grant prej 2 milionë euro që e kemi fituar”, ka thënë Raka.

Informacione shtesë ka kërkuar edhe deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, i cili ka thënë se nuk mund ta mbështesë këtë projekt nëse nuk dihet destinimi i saktë i ndërtesave e informacione tjera të rëndësishme.

“Nuk ka destinim të saktë. Dua te di sa ndërtesa do të ndërtohen në Deçan, sa në Prishtinë? A do të jenë banesat kolektive apo të shpërndara?”, ka  pyetur Rrahmani.

Kurse zëvendësministri Raka, ka thënë se komunat e kanë plotësuar një formular dhe kanë treguar pak a shumë sa janë të gatshëm për këtë projekt. Ai ka thënë se nuk duhet të bëhet politikë me kategoritë e ndjeshme, pas kritikave që ka marrë nga anëtarët e këtij komisioni. “Projekti do të zbatohet në komuna. Gjithçka do të jetë transparente. Do të bëhet identifikimi i lokacioneve dhe pas thirrjes publike komunat do të bëjnë analizën e projektit. Sipas ligjit, komunat kanë përgjegjësi të hartojnë raporte për programet tre vjeçare për banimin social. Janë diku 17 komuna që i kanë këto programe. 7 prej tyre ju ka skaduar programi, tri komuna i kanë vetëm si draft, ndërsa 10 komuna nuk kanë hartuar fare program”, ka thënë Raka.

Më tutje, deputetja Duda Balje, ka thënë se ka shumë kërkesa nga qytetarët sepse secila familje dallon nga tjetra sa i përket nevojave të tyre. Një problem që e  ka paraqitur si shqetësues deputetja Balje është se shumë qytetarë sipas saj ka mundësi të mos kenë toka të tyre dhe si do ndërtohet shtëpia e tyre kur ka mungesë të tokave.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja, ka thënë se duhet të kihet shumë kujdes që si shtet demokratik të mos lënë anash edhe komunitetet sa i përket këtij projekti.

Ndërsa me propozimin e kryetarit Muja është vendosur që të ketë edhe një diskutim të kësaj pike të rendit të ditës dhe të merren parasysh kërkesat e të gjithë anëtarëve të komisionit. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është miratuar nisma për lidhjen e Marrëveshjes për Shërbime Ajrore…