Moska: Shtatë të vrarë nga një sulm raketor në rajonin rus Belgorod

12 maj 2024 | 14:52

Së paku shtatë njerëz janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur nga shembja e një pjese të një ndërtese shumëkatëshe banimi, si pasojë e një sulmi raketor ukrainas në qytetin kufitar të Rusisë, Belgorod, kanë thënë zyrtarët rusë të dielën.

Pamje nga vendi i ngjarjes – të postuara nga guvernatori i këtij rajoni në kufi me Ukrainën, Vyacheslav Gladkov – shfaqën shembjen e së paku 10 kateve të ndërtesës.

“Qyteti i Belgorodit dhe rajoni i Belgorodit u bombarduan nga Forcat e Armatosura të Ukrainës”.

“Si pasojë e goditjes direkte nga një predhë në një ndërtesë banimi, e tërë hyrja nga kati i dhjetë deri te i pari, u shemb”, ka thënë Gladkov.

Kanali rus i lajmeve në “Telegram”, “Mash” ka raportuar se së paku shtatë njerëz janë vrarë dhe 15 të tjerë janë plagosur.

Një dëshmitar rasti ka thënë se shumë ambulanca dhe automjete zjarrfikësish janë parë në vendin e ngjarjes.

“Një pjesë e tërë e një ndërtesë 10-kateshe u shemb. I pashë disa viktima”, ka thënë dëshmitari për “Reuters” në kushte anonime, raporton “Rel”.

Më herët të dielën, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka thënë se kundërajrorët e saj i kanë rrëzuar dy raketa balistike të epokës sovjetike që forcat ukrainase i kishin shkrepur mbi rajonin Belgorod gjatë natës.

Qytetet në pjesën perëndimore të Rusisë janë përballur me sulme të vazhdueshme me dronë prej majit 2023. Për këto sulme, zyrtarët rusë e kanë fajësuar Kievin.

Zyrtarët ukrainas nuk marrin asnjëherë përgjegjësi për sulme në territorin rus, apo në Gadishullin e uzurpuar të Krimesë.

Rajoni i Belgorodit në veçanti ka qenë cak i sulmeve të mëdha. Në dhjetor 2023 janë vrarë 25 njerëz nga një sulm në qendër të qytetit Belgorod.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gordana Silanovska-Davkova e ka bërë betimin të dielën si gruaja…