Hapet ekspozita e piktorit Haki Xhakli në Helsinki

13 maj 2024 | 10:57

Të premten me një ceremoni në galerinë Luckan në Helsinki, Finlandë u hap ekspozita personale e piktorit Haki Xhakli me titullin “Jehona e qendrueshmerisë”.

Ekspozita përmban 26 piktura me vlera unike, që paraqesin cikle të ndryshme të periudhave para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Fjalën e rastit në hapje, përveç autorit Xhakli e morën edhe kuratori Larrie Griffis producent dhe përgjegjëse për kulturë në qendrën kulturore Luckan, i cili foli për rëndësinë e ekspozitës dhe bashkëpunimin me artistët ndërkombëtarë siq është rasti i Kosovës dhe krijimin e urave të bashkëpunimit mes vendeve.

“Krijimtaria ime shpreh ndërveprimin e thellë me kulturën dhe historinë tonë, duke paraqitur bukurinë dhe vendosmërinë e popullit tim për të përballuar sfidat dhe vuajtjet. Me simbole të thella dhe ngjarje të lashta, pikturat e ekspozuara këtu në Helsinki përshkruajnë trashëgiminë tonë dhe shpirtin tonë të palëkundshëm, por edhe të ardhmen e ndritur.” ka thënë Xhakli

Autori me këtë ekspozitë të re, rrethon histori të ngrohta të rezistencës dhe shpresës nëpërmjet pikturave të tij. Kjo ekspozitë ofron një udhëtim emocionues në botën artistike të Xhaklit, duke ftuar vizitorët të reflektojnë mbi kuptime të thella dhe të shpresojnë, edhe në kohë të sfidave.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorë një muaj deri me 30 maj.

Ekspozitën e prof. Haki Xhaklit e ka përshëndetur edhe afaristi nga Dardana (Kamenica) e Kosovës, Bashkim Thaqi i cili jeton dhe vepron në shtetin e Finlandës. Thaqi e ka mirëpritur këtë ekspozitë të prof. Haki Xhaklit, duke e falënderuar për këtë paraqitje të artit kosovar.

“Krenar që në qendër të Helsinkit, të ekspozohet arti ynë – arti kosovar! E falënderojmë prof. Haki Xhakli që na dha këtë kënaqësi të shijojmë vlerat e kulturës dhe artit të tijë larg nga vendlinda! Ju falemnderit prof që edhe fëmijëve tanë u mundësove çaste kulture, arti e krenarie të Kosovës! Uroj të mos ndalesh punën e suksesin! Afrim Pllana na nderoi me një çast muzikor.”, ka shkruar ndër tjera Bashkim Thaqi për ekspozitën e profesor Haki Xhaklit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se sot mban mot me…