Kjo është letra e Besnik Tahirit për djalin, Kaonin, në ditëlindjen e 16 të tij

13 maj 2024 | 18:23

Kaon Tahiri sot feston ditëlindjen e 16. E për këtë ditë të rëndësishme, ai ka marrë një mesazh urimi nga babai i tij, Besnik Tahiri, i cili është deputet në Kuvendin e Kosovës dhe shef i Grupit Parlamentar të AAK-së.

Tahiri në mesazhin e publikuar në “Facebook” thotë se është shumë i kënaqur me Kaonin, me dashurinë e emocionet që po ua përçon dhe që po i bënë krenarë.

“Kurrë mos harro që kjo jetë është një betejë mes të mirës e të keqes, gjithmonë rri në krah të së mirës”, ka shkruar Besnik Tahiri.

Mesazhi i plotë i tij:

Letra ime për Kaonin në ditëlindjen e tij të 16-të
I dashur Kaon,
Shumë urime ditëlindjen e 16-të! Të uroj bash gjithçka që të bënë ty të lumtur!
Sot, si 16-vjeçar, ngadalë por me shumë siguri, po hyn në një moshë të një djali që po rritet e po bëhet burrë.
Unë jam shumë i kënaqur me ty, me dashurinë e emocionet që po na i përçon dhe që po na bënë krenarë.
Kurrë mos harro që kjo jetë është një betejë mes të mirës e të keqes, gjithmonë rri në krah të së mirës.
Suksesi në jetë i kërkon dy veçori të rëndësishme:
1. Vetëm me punë i arrin qëllimet e tua jetësore. Kjo rrugë e punës është më e gjatë, por e vetmja rrugë e qëndrueshme. Pra WORK HARD.
2. Kurrë mos u anko, mos u qajë, gjithmonë rri pozitiv dhe mos u ngut. Gjithmonë ke kohë, e koha i shëron plagët dhe t’i ofron mundësitë. Pra, kur angazhohesh dhe punon mundësitë të vijnë prapë. Kurrë se di ku është hajri e ku është sherri. MOS U DËSHPËRO!
Përndryshe, unë e kam shkruar një tekst, që kur je në mëdyshje, lexoje. Ky tekst është i imi, e kam shkru ma herët por e kam modifikuar për ty që kur je me mëdyshje e lexon:
Gjëja më e mirë dhe më e vlefshme në jetë është PËRVOJA. Kur ke eksperiencë, e din që me qenë modest, nuk është ligësi, të lëshosh rrugë për ta ndalë një të keqe të madhe nuk është frikë, me dashtë e me dëgjuar zemrën nuk është dobësi, por madhështi. Të dëgjosh më shumë se të flasësh, nuk është mosdije, por nder dhe respekt. Dhe, në fund, me ‘palu’ atë që e meriton, edhe në qoftë se bëhet kiameti, nuk është budallaki, por në fakt është vetëm mbrojtje e dinjitetit.
E mirë është ajo që ta përmbush: puna, suksesi, nderi që ju bënë njerëzve, kur i çliron, kur e dëgjon zemrën më shumë se trurin, kur ke guxim me i mbyllë sytë dhe me ecë.
Në këtë jetë e ke veç një borxh – ndaj nënës e atdheut. Nënës i ke borxh dashurinë e respektin e përjetshëm, e atdheut, shërbimin e jetën.
Jo, secili din me dashtë, vetëm atëherë kur dashurohesh do ta ndiesh madhështinë e jetës, e vetëm atëherë kur ndahesh, dhimbjen e botës. Andaj, Kaon, gabimi më i madh në jetë është, mos me jetuar momentin që ta dhuron Zoti e rrethanat.
ZOTI TË BEKOFTË, BIR!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester City nuk gaboi ndaj Fulhamit duke triumfuar me rezultatin…