Koci: Do të ishte e rrugës që liderët opozitarë të thirren në takim nga presidentja

13 maj 2024 | 22:11

Gazetari dhe njohës i çështjeve politike, Melazim Koci,  ka thënë se do të ishte e rrugës që krerët e partive politike të thirreshin në takim nga presidentja Vjosa Osmani dhe jo kreu i Qeverisë.

Sipas tij, kjo pasi takimi i thirru nga kryeministri është refuzuar nga dy partitë opozitare LDK e AAK, për faktin se Albin Kurti është kryetar i partisë.

Ai ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që më vonë një takim i të gjithë krerëve të partive politike të realizohet nëse do të vijë nga presidentja Osmani.

“Çdo takim ndërmjet subjekteve politike është i mirëseardhur. Është evidente që Kosova në fazën e ardhshme do të ballafaqohet me sfida bukur të mëdha. Nuk jam i sigurt nëse pikërisht kryeministri është ai që do të duhej të thirrte takime të tilla. Është ide e mirë, por mendoj se do të ishte më e qëlluar nëse presidentja Osmani do të thirrte një takim të tillë me të gjitha partitë duke përfshirë edhe VV-në sepse kryeministri është palë, është kryetar i VV-së. Mendoj se si ide është e qëlluar. Nëse nuk do të ketë konsensus kësaj radhe për faktin që kanë refuzuar LDK e AAK, unë nuk e përjashtoj mundësinë që më vonë një gjë e tillë të realizohet, nëse do të vinte nga presidentja Osmani”, ka thënë ai.

Koci ka thënë se vendit në këtë kohë i duhet më shumë se kurrë një konsensus i partive politike  rreth marrëveshjes franko-gjermane, përkatësisht Asociacioni dhe çështjes së dialogut.

“Mendoj që është imperativ një gjë e tillë për dy shkaqe, Kosovës aktualisht i duhet shumë, më shumë se kurrë një konsensus rreth dy çështjeve. E para është çështja e marrëveshjesh franko-gjermane përkatësisht Asociacioni që është brenda saj dhe e dyta çështja e dialogut. Është shumë e rëndësishme që klasa politke të unifikohet në një qëndrim rreth këtyre dy çështjeve, sepse kështu e forcon pozicionin negociator,  qoftë në raport me Serbinë, qoftë në raport me bashkësinë ndërkombëtare”, ka thënë ai./EkonomiaOnline

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti Shenoll Muharremi ka vlerësuar se takimi i sontëm ndërmjet…