Besnik Tahiri: Në qoftë se ka një parti që i konvenojnë zgjedhjet, është AAK-ja

14 maj 2024 | 15:45

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka mbajtur sot një konference për medie, në të cilën ka folur për zhvillimet e përgjithshme në vend.

Ai ka folur edhe për takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi.

Tahiri ka thënë se takimi i mbrëmshëm i ka shpërfaqur dy të vërteta të mëdha. “E vërteta e parë është që në këtë takim nuk ka pasur diskutim për temën, pra për agjendën legjislative. Ajo që ne e kemi pritur si Aleancë është që dimë më shumë se si t’i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare. AAK-ja i ka votuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, madje ka pasur ditë kur kryetari Haradinaj me orë ka pritur votimin e tyre. Siç shihet nuk është problem bllokimi i 300 milionë eurove të marrëveshjeve ndërkombëtare, por problemi është se si z. Kurti ta gjejë një dalje, të cilën duhet t’ia mundësojë opozita, në mënyrë që atij t’i mundësohet një amnesti e keqqeverisjes, e dështimit në politikën e brendshme dhe të jashtme, mbi të gjitha e dështimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka thënë Tahiri.

Ai ka thënë se sot jemi në ditën kur në Strasburg ambasadorët diskutojnë se a të hyjë a po jo Kosova në agjendën e Komitetit të Ministrave për të marrë ftesën për anëtarësim.

“Paramendoni ku ka ardhur Kosova, kryeministri i vendit, një ditë para se të vendoset për anëtarësimin e Kosovës, ai merret me zgjedhje, vetëm për ta mbuluar një marre dhe një dështim total që i ka dhënë Kosovës. Sa i përket çështjes që u bë temë mediale – shpërbërjes së Parlamentit, ne në asnjë moment nuk e kemi diskutuar këtë në Kuvendin e Kosovës. Por, në fakt, kemi propozuar një mocion të votëbesimit në Kuvend. Jemi i vetmi subjekt politik që këtë e kemi ngritur para një viti e gjysmë, kemi menduar se duhet të ndodhë shkarkimi i tij. Këtë e kemi elaboruar në tetë faqe dokument si parti opozitare dhe kjo nuk ka ndodhur”, është shprehur Tahiri.

Sipas tij, shpërbërja e Parlamentit të Kosovës, për AAK-në mund të ndodhë vetëm atëherë kur kryeministri shkarkohet ose dorëhiqet.

“Problemi është me qeverisjen në vend, problemi i Kurtit është për ta vendosur Kosovën në një proces emergjent, për t’i ikur ballafaqimit me të vërtetën. Ballafaqimi me të vërtetën është: pensionistët e Kosovës jetojnë me 100 euro; nuk ka asnjë rritje të asnjë page as në sektorin publik e as në sektorin privat; ikja nga Kosova është marramendëse; ekonomia është në shpërbërje e sipër, mbi të gjitha, sot, Kosova është e izoluar nga bashkësia ndërkombëtare, nga Amerika dhe nën sanksione nga Evropa. Këtyre elementeve është duke u ikur z. Kurti dhe me këtë ka huqur, dhe donë që të vijë në një situatë për ta shpërbërë Parlamentin dhe shkuarjen në zgjedhje, pastaj ta gjejë një alibi dhe të viktimizohet që iu ndalë mandati në gjysmë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se AAK-ja nuk ka asnjë arsye pse mos të takohet me Kurtin, por duhet të di për çka të takohemi. “Pra, duhet ta dimë temën. Në qoftë se ka të bëjë me një temë të interesit nacional, këtë e kemi konfirmuar edhe në letër. Në qoftë se ka të bëjë me një detyrë që AAK-ja mund ta marrë, në raport për ta shtyrë përpara një agjendë kombëtare, qoftë për anëtarësim apo temë tjetër, gjithsesi se po. Për marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjet nuk kemi pse takohemi, sepse AAK-ja ia ka dhënë votën. Pra, për gjatë këtij mandati vetëm tre muaj nuk kemi votuar. Ndërsa, të takohemi sa për të mbuluar një qasje të tij arrogante, arbitrare dhe shumë nënçmuese që ka pasur me opozitën, s’kemi pse të takohemi”.

“Tanimë jemi në muajt e fundit të këtij mandati dhe ky mandat i plotë i Qeverisë do të kërkojë shumë përgjegjshmëri dhe llogari fillimisht nga qytetarët dhe pastaj nga partitë, dhe të shkojmë në zgjedhje. Këto trika, këto takime të cilat ne esencë nuk kanë asnjë substancë, por kanë një qëllim të një konsumi publik, nuk i bëjnë mirë vendit, mbi të gjitha llogaridhënies dhe detyrës që ka Kuvendi për t’i kërkuar përgjegjësi kryeministrit dhe Qeverisë”, ka theksuar shefi i GP të AAK-së.

Ai ka thënë se PDK-ja është deklaruar, ajo ka pasur pozicion të shpërbërjes edhe më herët. “Për LDK-në nuk e di, ende nuk jam takuar me z. Gashi. Mirëpo, në qoftë se ka një parti që i konvenojnë zgjedhjet, është AAK-ja. Organizimi strukturor i AAK-së kurrë nuk ka qenë më i fuqishëm as në Kosovë e as në diasporë. Mendoj që rezultati jonë do të jetë befasia e zgjedhjeve. Mirëpo, shkuarja në zgjedhje përmes një marrëveshje, kërkon më shumë korrektësi. Shkuarja në zgjedhje përmes një krize, që ne kemi shkuar, ju kujtohet kur z. Haradinaj pati dhënë dorëheqje dhe raste tjera. Por, tashmë nuk kemi krizë. Për të shkuar në zgjedhje, duhet të ulemi të bisedojmë më seriozisht, të prezantohet një dokument me arsyet e shkuarjes në zgjedhje. E, jo të takohemi në darkën e “Gardenit” dhe të shkojmë në zgjedhje. Fillimisht, po kërkojmë dorëheqjen, pastaj kërkojmë llogari, fajin mos ua hedh deputetëve, por përgjegjësinë ta merr vetë”, ka deklaruar Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale, ka ngritur sot aktakuzë në mungesë në Gjykatën…