Mickoski del kundër Marrëveshjes së Prespës: E quaj vendin tim si të dua! Kujt nuk i pëlqen, të shkojë në Hagë

16 maj 2024 | 21:20

Kryeministri i sapozgjedhur i Maqedonisë së Veriut, Christian Mickoski ka folur sot me tone nacionaliste kundër Marrëveshjes së Prespës duke u shprehur se do ta quajë vendin që ai drejton si të dëshirojë pa shtesën “e Veriut”.

Ai tha se nëse Greqia ka një problem me mënyrën sesi ai e emërton vendin e tij, atëherë mund të shkojë në Gjykatën e Hagës. Ndër të tjera Mickoski u shpreh se nuk pret që marrëdhëniet mes dy vendeve të bazohen në çështje politike.

“Mendoj se ishte një deklaratë e denjë. Mund të them se prisja që fqinji ynë jugor të na uronte. Përkundrazi, për fat të keq, na treguan “krahët” e tyre politike. Nuk pres që marrëdhëniet mes dy vendeve të bazohen në çështje politike. Pres që të kemi marrëdhënie të mira, të shkëlqyera fqinjësore.

Nëse ata mendojnë se ne e kemi shkelur Marrëveshjen e Prespës, le të shkojnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ata mund të fillojnë një proces dhe aty do të shohim argumentet e njërës palë dhe tjetrës. Do të doja të shkoja atje”– tha Mickoski.

Mediat greke e kanë konsideruar këtë si deklaratë të Mickoskit si “hedhje në erë të Marrëveshjes së Prespës”.

Çështja e emërtimit të Maqedonisë së Veriut ka sjellë sërish debate mes dy vendeve, me Greqinë që u shpreh e shqetësuar me kryeministrin dhe presidenten e re të shtetit fqinj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Situata rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, po…