Politikani serb: Kam bërë padi në GjND për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës

17 maj 2024 | 08:36

Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor”, Boban Bogdanoviq, ka nisur një fushatë për krimet e kryera të Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë.

Për këtë nismë Bogdanoviqi ka njoftuar në platformën “X” të enjten.

Ai tha se zyrtarisht ka paraqitur padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë – veçanërisht për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999.

Për këtë ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta mbështes në këtë drejtim, po ashtu edhe popullin e Kosovës.

“Sot kam filluar një fushatë zyrtare për Kosovën. Kam paraqitur një padi ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për të gjitha krimet e kryera në Kosovë dhe veçanërisht për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitin 1999. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe popullit të Kosovës për mbështetje”, ka shkruar Bogdanoviq.

Bogdanoviq, më parë kishte reaguar edhe për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq si dhe së fundi për rastin “Banjska”.

Për mbështetjen ndaj Kosovës, ai thotë se vitin e kalur është intervistur edhe nga Agjencia Informative e Sigurisë së Serbisë (BIA).

Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, janë vrarë më shumë se 13.500 njerëz, shumica dërmuese e të cilëve ishin civilë shqiptarë.

Muaji më i përgjakshëm ishte prilli i vitit 1999 kur u vranë 4,082 persona.

Po ashtu bazuar në të dhënat nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që ka monitoruar proceset e gjykimeve në rastet e krimeve të luftës, thuhet se deri tani, në Kosovë, për krime të luftës në procese gjyqësore, kanë qenë të përfshirë 111 persona, kurse janë dënuar vetëm 41 prej tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenca e Kosovës ka vazhduar përplasjet në distancë me Qeverinë…