Shoqëria civile: Komisionet për pozita të larta drejtuese po bëhen në kundërshtim me ligjin

17 maj 2024 | 12:45

Iniciativa CorrWatch ka reaguar për rekrutimin e zyrtarëve në kategori të larta drejtuese.

Sipas kësaj iniciative, rekrutimi është duke u bërë nga komisione që janë ushtrues detyre, e jo nënpunës ekzistues.

Iniciativa CorrWatch shpreh shqetësimin e thellë mbi praktikën e qeverisë lidhur me themelimin e komisioneve të pranimit për kategorinë e lartë drejtuese me anëtar që janë Ushtrues së Detyrës dhe jo me nëpunës ekzistues në pozitat e kategorisë së lartë drejtuese siç kërkohet me Ligjin për zyrtarët publikë, e që për pasojë i bën të paligjshme procedurat e rekrutimit për kategorinë e lartë drejtuese.

Ligji për zyrtarët publikë, në nenin 48, shprehimisht përcakton se ‘Komisioni shtetëror i pranimit për pozita të kategorisë së lartë drejtuese … ka pesë (5) anëtare/ë, në këtë përbërje… 3.1. tre (3) nëpunëse/ës ekzistues në pozitat e kategorisë së lartë drejtuese’. Nga kjo dispozitë është e qartë se për të qenë anëtar i Komisionit duhet të plotësohet kërkesa ligjore ‘që të jetë nëpunës ekzistues në pozitat e kategorisë së lartë drejtuese’. Ligji, me të drejtë ka përcaktuar këtë kriter duke ditur nivelin dhe rëndësinë e kategorisë së lartë drejtuese e që ky kriter nuk plotësohet nëse anëtarët nuk janë nëpunës civil të kategorisë së lartë drejtuese, përkatësisht për anëtar caktohen ushtruesit detyrës siç CorrWatch ka vërejtur në disa raste”, është thënë në reagimin e kësaj organizate.

Më tutje, kjo organizatë ka theksuar se vendime të tilla janë shqetësuese për faktin se në këto pozita si ushtrues detyre janë të caktuar edhe nëpunës të kategorive më të ulëta, pra nga kategoria e mesme dhe e ulët drejtuese, por edhe nga kategoria profesionale. “Si pasojë, anëtarët e tillë jo detyrimisht përmbushin kërkesat e nëpunësve të kategorisë së lartë drejtuese për të qenë të gatshëm të vlerësojnë njohuritë, aftësitë dhe shkathtësitë e kandidatëve që kanë aplikuar për kategorinë e lartë drejtuese. Në të njëjtën kohë, fakti që kjo praktikë është në kundërshtim me Ligjin për zyrtarët publikë (ligji material) përbën paligjshmëri të procedurës sipas paragrafit 1.5 të nenit 52 të Ligjit për procedurat e përgjithshme administrative. Për më tepër, parakusht ligjor për themelimin e Komisioneve shtetërore të pranimit për pozita të kategorisë së lartë drejtuese është miratimi i listës nga qeveria me kandidatët potencial për anëtar të komisionit dhe pastaj të njëjtit përzgjidhen përmes sistemit kompjuterik në mënyrë algoritmike nga njësia përgjegjëse dhe emërohen nga Qeveria me propozim të ministres/it përgjegjës për administratë publike. Këta hapa procedural qartazi nuk janë ndjekur nga qeveria gjatë themelimit të komisioneve shtetërore të pranimit për pozita të kategorisë së lartë drejtuese”, është thënë në reagimin e CorrWatch.

Iniciativa CorrWatch ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i anulojë këto vendime të cilat sipas saj bien ndesh me kornizën ligjore të lartcekur dhe të evitojë në të ardhmen një praktikë të tillë qe dëmton në mënyrë direkte kredibilitetin e proceseve rekrutuese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka shkuar në 35  mijë e 303 numri i palestinezëve…