Kosova lihet jashtë agjendës për anëtarësim në KiE, kryediplomati shqiptar i kërkon Kosovës t’i kryejë obligimet

17 maj 2024 | 13:39

Edhe zyrtarisht Kosova nuk do të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani.

Ai i ka bërë thirrje Kosovës që t’i përmbushë sa më shpejt obligimet që i ka marrë përsipër.

“Dështimi për të vendosur për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e sotëm të Këshillit të Evropës, është një mundësi e humbur historike për Kosovën që të ketë një vend të merituar në tryezë dhe një zë më të fortë në formimin e një Evrope të bashkuar dhe demokratike”.

“Është e nevojshme që qeveria e Kosovës të veprojë me shpejtësi për të përmbushur zotimet që ka marrë dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive me partnerët dhe përkrahësit e saj të vendosur ndërkombëtarë”, ka shkruar Hasani në “Facebook”.

Sipas tij, përmbushja e kushteve nga Kosova, mund të bëjë që të mbahet një mbledhje tjetër e Komitetit në të ardhmen e afërt.

“Kjo duhet të pasohet me përpjekje kolektive që në të ardhmen e afërt të mbahet një tjetër Komitet i Ministrave të KiE. Të gjithë duhet të veprojmë me shpejtësi për të përmbushur ç’ka i kemi borxh popullit të Kosovës”, ka shkruar Hasani.

Ministri francez për Çështjet Evropiane, Jean-Noel Barrot, ka vlerësuar se Franca mendon se çështja e Kosovës në këtë fazë do të shkaktojë përçarje ndërmjet vendeve në Këshillin e Evropës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Enver Sekiraqa, i cili më 3 maj 2024 u dënua…