Konfiskohen 12 kamionë në veri, dyshohet se u përdorën për barrikadimin e rrugëve në vitin 2022

19 maj 2024 | 00:24

Në pjesën veriore të Kosovës janë konfiskuar 12 kamionë të cilët dyshohet se janë përdorur nga protestuesit serb, për bllokimin e rrugëve veriore gjatë vitit 2022. Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani bëri të ditur për televizioni se këta kamionë janë konfiskuar në dy lokacione, në fshatin Uglare të Zubin Potokut dhe afër liqenit të Ujmanit.

Pas çdo vendimi të pakënaqshëm për komunitetin serb që ndërmerrte Qeveria e Kosovës, rrugët e veriut bllokoheshin.

Në këtë mënyrë, pamundësohej edhe lëvizja e qytetarëve.

E nën dyshimin se disa prej tyre u përdorën gjatë vitit 2022, Policia e Kosovës konfiskoi të martën 12 kamionë.

“Protestuesit serb kishin përdorur makineritë e rënda, edhe këtu në fshatin Rudare, në hyrje të komunës së Zveçanit” .

Detaje rreth këtij aksioni dha për televizionin zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

“Është e vërtetë që ne i kemi konfiskuar një ditë gjashtë kamionë në Uglare të Zubin Potokut, dhe gjashtë të tjerë tek Ujmani atje, këta kamiona janë konfiskuar si të braktisur dhe janë dërguar në Doganë. Sidoqoftë, ekziston dyshimi i bazuar se këta kamionë janë përdorur në barrikadimin e rrugëve apo barrikadat që kanë ndodhur në vitin 2022” , ka deklaruar ai.

E sipas njohësit të sigurisë, Arben Dashevci, konfiskimi i kamionëve nga ana e policisë, po konsiderohet si parandalim për mosripërsëritje të rasteve të tilla.

“Republika e Kosovës, gjegjësisht organet e sigurisë, vetëm po e bëjnë punën e tyre, sepse këta kamionë definitivisht se kohërave të kaluara janë evidentuar nga ana e Policisë kjo është punë puro policore. Vet konfiskimi i tyre tregon se këta kamionë janë evidentuar dhe për këtë arsyeje janë konfiskuar”.

Televizioni ka kërkuar përgjigje edhe nga Dogana e Kosovës por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Televizioni ka mësuar se në mesin e kamionëve të vendosur gjatë bllokadave në pjesën veriore, kanë qenë edhe të firmës së ish kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Françeska ka qenë banorja që është larguar përfundimisht nga shtëpia…