Rafuna: Bizneset po përballen me mungesë të fuqisë punëtore

19 maj 2024 | 14:34

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se në dy vitet e fundit vendi përballet me mungesë punëtorësh, e veçanërisht muajve të fundit, pas liberalizimit të vizave.

Rafuna ka treguar se ndër sektorët më të prekur nga mungesa e punëtorëve janë gastronomia dhe ndërtimtaria.

“Pas liberalizimit të vizave vërehet një mungesë e punëtorëve, mirëpo nuk është e theksuar për shkak se kjo sfidë është në dy vitet e fundit. Me liberalizim të vizave një pjesë e atyre që kanë pasur mundësi gjatë dy viteve të fundit me emigruar dhe kanë filluar të lëvizin gjatë këtyre muajve të fundit. Ndër sektorët më të prekur nga mungesa e punëtorëve janë gastronomia dhe ndërtimtaria, por duke mos i përjashtuar as sektorët e tjerë, por tek këta dy sektorë është më së shumti e theksuar”, ka thënë Rafuna për “Front Online”.

Më tutje, ai ka thënë se Kosova është duke importuar fuqi punëtore, mirëpo sipas tij nuk është stabile pasi kanë pretendime për t’u larguar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

“Kemi punëtorë prej vendeve tjera. Jemi duke importuar fuqi punëtore prej Banglladeshi, Turqisë dhe vendeve të tjera, mirëpo prapë sfida qëndron aty që biznesi nuk po mundet të bazohet në këtë fuqi punëtore që po e inportojnë për arsye se shumica absolute e tyre që vijnë, përjashto fuqinë punëtore që vjen prej Turqisë, nuk vijnë me pretendime që të qëndrojnë gjatë në Kosovë. Ata po vijnë vetëm derisa të gjejnë një mundësi për tu larguar drejt vendeve të BE-së”, ka thënë Rafuna.

Rafuna ka treguar sfidat me të cilat janë duke u ballafaquar bizneset në Kosovë, duke theksuar të parën, mungesën e fuqisë punëtore.

“Gjatë viteve të fundit mund të themi se mungesa e fuqisë punëtore është sfida kryesore. Pastaj vjen qasja në financa dhe gjetja e tregjeve të reja. Dhe më pas vijnë këto sfidat tjera që i kemi të brendshme siç është sundimi i ligjit të, pastaj çështja e arsimit që është e lidhur me kërkesat e tregut të punës, çështja e shëndetësisë, e kështu me radhë”, ka thënë Rafuna.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas një periudhe të gjatë që nuk e kishin parë…