Zeqiri reagon pas shkarkimit: “Puç” i përgatitur prej kohësh

19 maj 2024 | 17:46

Sindikata e Policisë së Kosovës ka votuar të dielën për shkarkimin e kryetarit Imer Zeqiri.

Për shkarkimin e tij, Zeqiri e kuptoi nga mediat.

Ai përmes një reagimi publik ka thënë se nuk ka qenë i njoftuar për këtë takim, dhe se sipas tij është bërë qëllimisht për të pamundësuar pjesëmarrjen e tij.

“Unë nuk kam qenë i njoftuar për një takim të tillë, i bërë qëllimisht për të pamundësuar pjesëmarrjen time, dhe si i tillë është në kundërshtim me Statutin, si akti më i lartë juridik i Sindikatës së Policisë së Kosovës si dhe në kundërshtim me parimet etike e fisnike për një strukturë të tillë”.

“Më vjen keq që Sindikata për të cilën kam bërë punë me shumë përkushtim dhe angazhim për të avancuar pozitën, mirëqenien dhe të drejtat e të gjithë pjesëtarëve të policisë, është kthyer në një mekanizëm të individëve për të realizuar interesa individuale, e që do të dëshmohet ndërkohë”.

Ai thotë se në vendimin e shkarimit nuk është dhënë asnjë arsye.

“Si mund të ketë shkarkim pa u dhënë arsyet dhe pa u bërë ato publike? Sa i përket procesit ndaj meje dhe për të cilin jeni të njoftuar, nuk ka një vendim përfundimtar. Parimi bazë i prezumimit të pafajësisë është hedhur poshtë sot nga ata që me aq zell kanë marrë vendim të qëllimshëm nën pretekstin e shkeljes në mënyrë të heshtur të këtij parimi”.

Zeqiri thotë se është e pandershme që të votohet pa praninë e tij.

“Në këtë rast 60 delegatë që kanë ngritur dorën pro shkarkimit a thua vallë e dinë se kanë bërë vetëgjyqësi?! Në një proces të rregullt me prezencën time, do ta pranoja çfarëdo lloj vendimi që do ta merrte kuvendi, që do të ishte i thirrur sipas Statutit të SPK-së. Por, jo kështu pas shpine”.

Zeqiri tha se shkarkimi i tij është në kundërshtim me Statutin, i cili tha se ka synim për “puç”.

“Veprimet si ky i sotmi, vërtetojnë synimet për “puç”, të përgatitura që sa kohë dhe janë vazhdim i prapaskenave nga individë në Sindikatën e Policisë së Kosovës dhe përreth saj. Prej kur jam në krye të sindikatës, të arriturat janë evidente dhe publike, andaj jam krenar me punën dhe angazhimin tim”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti sot është takuar me nënsekretaren e Departamentit…