Adresimi i Kurti në mbledhjen e 206 të Qeverisë

21 maj 2024 | 13:13

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e 206 të kabinetit qeveritar ka folur për arratisjen e Enver Sekiraqës, duke theksuar se arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e Triumf Rizës është dështim i sistemit tonë gjyqësor, që vazhdon të arratiset vet nga drejtësia.

Adresimi i plotë i Kurtit:

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,

Në fundjavën që po e lëmë pas, kuptuam që njëri prej personave më famëkeq nga bota e krimit, i cili javën e kaluar u dënua përfundimisht nga gjykata me 25 vjet burgim për vrasjen e Triumf Rizës, policit të Kosovës, është arratisur.
Të gjithë atë që e kanë njohur Triumfin, e përshkruajnë njëzëri si profesionist të pashoq, të shkathtë në detyrë e shumë njerëzor me qytetarë. Triumfin e kam takuar edhe unë dhe kam po këtë përshtypje.
Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqës, është dështim i sistemit tonë gjyqësor, që vazhdon të arratiset vet nga drejtësia. Edhe më e rëndë bëhet situata kur këso rastesh nuk përbëjnë më përjashtim, nuk ngjajnë më si rastësi.
Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet për çdo ditë, për të përfshirë të gjithë qytetarët, nga të gjitha komunitetet pa dallim, në jetën institucionale, zhvillimin ekonomik, drejtësinë sociale të Republikës sonë të përbashkët. Vendosja e rendit dhe ligjit është kusht i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi. Këtë nuk e bëjmë kundër askujt të posaçëm, këtë e bëjmë gjithnjë për të gjithë. Për interesin publik në Republikë demokratike.
Shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit janë dhe duhet të jenë qëllim dhe përkushtim i shtetit, me gjyqësorin e mirë, që drejtësinë dhe ligjin i bën sinonime në përshtypjen e qytetarëve dhe të shoqërisë mbarë.
Vrasësit e policëve në liri janë kulmi i padrejtësisë. Reforma në drejtësi që dikur ishte nevojë, tash është urgjencë. Urgjencë institucionale. Urgjencë shtetërore. Urgjencë kombëtare.
Ju faleminderit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franca u godit nga një tërmet me magnitudë 4.1 ballë…