Ballkani kërkon trofeun e parë të Kupës, Prishtina daljen në Evropë

22 maj 2024 | 07:00
Kampioni i ri i Superligës së Kosovës në futboll, Ballkani, po synon të bëjë ligjin në futbollin e Kosovës, pasi sot (e mërkurë) synon ta fitojë Kupën, që i mungon në sirtar.
Klubi i drejtuar nga Ilir Daja ka shkëlqyer në garat ndërkombëtare, e ka fituar Superkupën, e ditë më parë e festoi titullin e tretë të kampionit dhe tash po synon edhe një sukses tjetër për sezonin 2023/2024. Për të arritur këtë synim, klubi nga Suhareka duhet ta mposhtë në finalen e madhe skuadrën me të trofeshme në Kosovë, Prishtinën.
Klubi i Ballkanit një ditë para finales ka shkrua në faqen zyrtare, ku ka paralajmëruar se do të ketë një shfaqje tjetër të madhe.
“Kampionët e Republikës së Kosovës zbresin sërish në fushë edhe për një shfaqje tjetër të madhe. Jemi vetëm një ditë para finales së Kupës së Kosovës. Është koha edhe për një hap tjetër të rëndësishëm. Të motivuar si gjithmonë, në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ në Drenas, shkojmë për të luftuar me vetëmohim që trofeu i Kupës së Kosovës të vijë në Suharekë. Faleminderit të gjithë tifozëve anembanë Shqiptarisë që në vazhdimësi u qëndroni pranë kampionëve! Edhe kësaj radhe, si gjithmonë, bashkë jemi më të fortë”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.
Klubi kryeqytetas nuk ka pasur formë të mirë në kampionat, por në Kupë po synon ta përsërisë suksesin e vitit të kaluar, njëherësh ta sigurojë edhe pjesëmarrjen në garat evropiane. Prishtina do ta zhvillojë finalen e 12-të dhe do ta kërkojë triumfin e 9 në Kupë.
“Të mërkurën zhvillohet finalja e 30 jubilare e Kupës së Republikës që nga viti 1993. FC Prishtina e zhvillon finalen e 12, duke synuar trofeun e 9. Vetëm fitorja e dërgon Prishtinën në Evropë. Ndeshja zhvillohet në stadiumin ‘Rexhep Rexhepi’ në Drenas nga ora 15:00. Tribuna jugore është e ndarë për tifozët tanë, ‘Plisat’, ndërsa biletat për tribunën lindore shiten te stadiumi. Tribuna veriore është e rezervuar për tifozët rivalë, ndërsa tribuna perëndimore e rezervuar për FFK. FC Prishtina për këtë ndeshje është e kompletuar. Nga lista e gjerë mungojnë vetëm Kreshnik Uka dhe Altin Gjokaj”, thuhet në njoftimin e kryeqytetasve.
Finalja në mes të Ballkanit dhe Prishtinës zhvillohet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas nga ora 15:00, kurse do të gjykohet nga gjyqtari Genc Nuza, i cili do të asistohet nga Granit Hyseni dhe Arbnor Bullatofci, derisa gjyqtar i katërt do të jetë Ilir Mehmeti.
/VETON ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lindi 50 vite më parë në Sao Paolo të Brazilit…