Çitaku: Edhe ne e duam dorëheqjen e Kurtit, por mundësia e vetme është shpërbërja e Kuvendit

28 maj 2024 | 13:23

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar se kërkesa e kësaj partie për të shkuar në zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit është më e mundshme për shkak se nuk i kanë numrat për rrëzimin e qeverisë Kurti.

Ajo ka thënë se nuk mund ta imponojnë as dorëheqjen e Albin Kurtit.

Çitaku ka thënë për “Ekonomia Online” se në këtë moment, mundësia e vetme që të shkohet në zgjedhje është përmes shpërndarjes së Kuvendit, ndërsa si preferencë ka theksuar se e kanë edhe dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

Ajo ka deklaruar se alternativat tjera janë të pamundura.

“Fillimisht dua ta qartësoj se PDK-ja nuk ka asnjë shtizë për opozitën për kolegët tanë opozitarë. Ne sigurisht që do të preferonim që kryeministri Kurti të jep dorëheqje, mirëpo dorëheqja nuk është një akt i cili ne si opozitë mund ta imponojmë sikurse që nuk i kemi numrat e mjaftueshme që ta shkarkojmë qeverinë e kryeministrit Kurti. Në politik nuk operohet me dëshira por me të mundshmen dhe në këtë moment e mundshme është të shkohet në zgjedhje të reja përmes shpërbërjes, përkatësisht shpërndarjes së Kuvendit. Ne të gjithë po pajtohemi së paku ne si opozitë edhe PDK-ja edhe LDK-ja edhe AAK-ja që vendi ka nevojë për zgjedhje që Qeveria nuk është duke bërë punën e saj, që qeverisja është e dobët, që raportet e Kosovës me aleatët janë acaruara, që ekonomia në vend ka stagnuar, që migrimi është duke shënuar parametra të dhimbshëm”, ka thënë ë Çitaku.

Ndërsa mosgatishmërinë e partive tjera për takim me liderin e PDK-së, Memli Krasniqi, Çitaku e sheh të gabuar.

“Nëse të gjithë po pajtohemi që këto janë fakte atëherë detyra jonë si opozitë posaçërisht mandatin sa më parë t’ua kthejmë qytetarëve. Tash ne po synojmë të bashkërëndohemi me opozitën, kryetari Krasniqi është takuar para se të takohet me kryeministrit Albin Kurti, është takuar me kryetarin e LDK-së dhe me kryetarin e AAK-së, ata kanë vendosur që mos t’i përgjigjen kërkesës për një takim me kryetarin e LV-së. Kjo është si të themi në domenin e përgjegjësive të tyre, ne jemi subjekte politike të ndryshme me identitet politik të ndryshëm edhe secili mban përgjegjësi dhe që i ndërmerr vet. Ka pasur raste në të kaluarën që ftesave të  ngjashme u janë përgjigjur kolegët tanë në opozitë dhe ne nuk kemi shkuar por nuk i kemi sulmuar pse ata janë takuar me kryeministrin Kurti”, është shprehur Çitaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aventura e tenistit spanjoll Rafael Nadal në grand slam të…