Trajtimi i lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, GLPS: Kohëzgjatja mesatare për zgjidhjen e tyre 688 ditë

29 maj 2024 | 14:53

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka publikuar raportin trajtimi institucional i rasteve të korrupsionit: Sfidat e sistemit gjyqësor gjatë një viti.

Ky raport, i publikuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, fokusohet në monitorimin e sistemit gjyqësor në Kosovë, me theks të veçantë në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky raport është rezultat i monitorimit të seancave gjyqësore dhe vendimeve të marra nga gjykatat gjatë periudhës 1 prill 2023 – 31 mars 2024.

Raporti i prezantuar përfshin gjetjet nga 458 seanca gjyqësore të monitoruara, nga të cilat 322 janë zhvilluar dhe 127 janë mbajtur me vonesë ose janë anuluar. Gjithashtu, janë analizuar 143 aktgjykime të publikuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në gjetjet kryesore të prezantuara të raportit thuhet se numri i lartë i seancave të anuluara apo të mbajtura me vonesë, kontribuon ndjeshëm në zvarritjen e zgjidhjes së rasteve të korrupsionit. Po ashtu thuhet se arsyeja kryesore e këtyre vonesave është mosparaqitja e palëve në gjykim dhe neglizhimi i gjykatave në lëshimin e urdhrave të arrestit. Po ashtu, shumë seanca dështojnë për çështje teknike dhe administrative, përfshirë mungesën e personelit kyç dhe planifikimin e dobët. “Prishtina ka pasur numrin më të madh të aktgjykimeve të publikuara (43), ndjekur nga Mitrovica dhe Gjilani (25). Kohëzgjatja mesatare për zgjidhjen e rasteve të korrupsionit ishte 688 ditë, me variacione rajonale të dukshme. Nga 143 aktgjykime, 89 ishin aktgjykime dënuese. Nga këto 89, 51 ishin dënime me gjobë, 9 me burg, 6 me burg dhe gjobë, dhe 1 me gjobë dhe burgim me kusht. Dënimet plotësuese të ndalimit të ushtrimit të funksionit në administratën publike janë aplikuar rrallë”, është theksuar në prezantimin e këtij raporti.

Në tryezën e organizuar morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Policia e Kosovës, Bashkimi Evropian, EULEX, OSCE, një gjyqtare e Apelit, Zyra e Kryeministrit, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Këshilli i Evropes/PECK III si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Në fillim të prezantimit, drejtoresha ekzekutive e GLPS-së, Arbëresha Loxha-Stubulla, ka falënderuar pjesëmarrësit dhe panelistët për pjesëmarrjen dhe kontributin e dhënë në diskutim.

Ajo po ashtu prezantoi projektin Përkrahja e Reformës së Administratës Publike dhe Sundimit të Ligjit përmes Luftimit të Korrupsionit dhe Përmirësimit të Ofrimit të Shërbimeve (Act Now) duke vënë theksin në përpjekjet e GLPS-së për monitorimin e institucioneve për trajtim të rasteve të korrupsionit. Udhëheqësi i ekipit për sundim të ligjit në zyrën e BE-së, Nicola Scaramuzzo, ka theksuar angazhimin e BE-së për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin duke financuar projekte të zbatuara si nga organizatat kombëtare të shoqërisë civile ashtu edhe nga organizatat ndërkombëtare.

Zëvendësminsitri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka theksuar se trajtimi i korrupsionit është prioritet i Ministrisë së Drejtësisë dhe se kjo po bëhet përmes pakos së re të legjislacionit kundër korrupsionit dhe avancimit të procesit të vettingut.

Kurse, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Fidan Haliti, ka thënë se politikat ndëshkimore duhet të jenë në përputhje me ligjin në mënyrë që të ndalohet korrupsioni.

Së shpejti, GLPS do të publikojë raportin final me gjetjet dhe rekomandimet për sistemin gjyqësor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka…