Ali Ajeti – vigjilenti liridashës

30 maj 2024 | 11:23

(Në 35-vjetorin e rënies heroike)

Basrie Murati-Sakiri

Ishte e martë, mbrëmje e vonë e 27 marsit të vitit 1989, kur për herë të parë e njoha Ali Ajetin. Po atë ditë u zhvillua një demonstratë e madhe nëpër rrugët e sheshet e Podujevës si dhe qyteteve të tjera të Kosovës. Ne demonstruam kundër heqjes të statusit të autonomisë të Kosovës. Mijëra llapjanë, shumica e tyre rini, nxënës e studentë, shprehnin pakënaqësinë para tankeve e policisë speciale të mobilizuar e armatosur, duke brohoritur parulla për liri, barazi e kushtetutë. Atë ditë edhe ndërtesat kishin marrë pamje tjetër. Sikur ishin bërë sy e vesh dhe vështronin gjithë atë popull, që për herë të parë kishte dalë pas aq vitesh ashtu i bashkuar të demonstronte për liri dhe barazi. Qyteza jonë dukej krenare, sepse llapjanët i madh e i vogël kishim dalë të protestonim. Derisa ne kërkonim vetëm të drejtat tona, të drejtën për të jetuar si njerëz e për të ekzistuar si komb, armiku përgjaku rrugët e Podujevës me vrasjen e të riut të pafajshëm, Mehmet Ejupi.
Asnjëherë më parë nuk e kisha parë Podujevën aq të vogël. Njerëzit e shumtë i kishin zënë të gjitha rrugët. Të shtyrë nga njëri-tjetri, radhë-radhë, ta merrte mendja se nuk do të ketë as ajër të mjaftueshëm për të gjithë ata njerëz. Fshatarë e druvarë, pleq e vajza, të cilët kishin harruar dertet e tyre të përditshme. Atë ditë shiheshin çanta të nxënësve nëpër tokë. E, çfarë nuk të zinte syri atë ditë? Të gjithë së bashku demonstronim para policisë e njësive speciale, që ishin të armatosur e të mbështjellë me mbrojtëse. Njëkohësisht mbi kokat tona dëgjohej zhurma e helikopterëve të armikut serb, që fluturonin shumë ulët mbi qytet dhe shpërndanin nga lart gazin lotsjellës.
Në mes të asaj vale që i vinte erë lufte, bëja krahasim në mes demonstruesve dhe policëve: ata ishin të pajisur me jelekë antiplumb e të armatosur, ndërsa ne duarthatë! Megjithatë, ne rezistonim. Ne e ndienim veten më të guximshëm dhe më të fuqishëm se asnjëherë më parë, ngase kishim moralin që na bënte të fortë.
Dikur vonë pasdite, njëri nga bashkëveprimtarët, Ismet Abdullahu, e që atëherë e njihja me pseudonimin “Shpend”, na paralajmëroj, një shoqen timen të gjimnazit, Ganimete Abdullahu, dhe mua, që disa nga grupi ynë të mos shkojmë në shtëpi, ngase ishim të rrezikuar nga organet e sigurimit, por të shkonim në një mal në fshatin Dumnicë, sepse atje mblidheshin edhe të tjerët, gjë që ashtu vepruam.

Dalja n’mal

Para perëndimit të diellit, morëm rrugën për në atë malin. Unë nuk e dija se ku ishte ai vend, prandaj një ndjenjë pasigurie filloj t’më përshkoj, mirëpo Ganimetja, e cila vinte po nga Dumnica, më pati ngushëlluar, që t’mos merakosesha, sepse ajo e dinte se ku ishte. Me rënien e errësirës, të lagur nëpër përroskat e fshatit Livadicë e Dumnicë, të lodhur nga demonstrimi e të helmuar nga tymi i bombave lotsjellëse, me shumë mund ia arritëm ta gjenim përafërsisht vendtakimin. Kur arritëm në atë malin, filluam të merakoseshim, sepse nuk vërehej shenjë jete lart e gjerë dhe nuk i gjenim shokët. Pasi fishkëllyem disa herë, sipas marrëveshjes me “Shpendin”, dikush na e ktheu përgjigjen nga ana tjetër po me të njëjtën fishkëllimë. Në fytyrën e njëra-tjetrës e vërejtëm një gëzim. Në të vërtetë nuk ishte gëzim, ishte një lehtësim, se atypari ishin shokët që i kërkonim, e nuk do të ishim vetëm.
Ata ishin fshehur nëpër kaçuba dhe dilnin një nga një. Prej tyre njoha vetëm “Shpendin” dhe dy shokë gjimnazi, Fatmir Sfishten e Halim Rrmokun. Kur i pashë me pushkë në duar e të shtrënguar tamam si në gjendje lufte, m’u hodh mendja t’i përqafoja si luftëtarë të lirisë, por e përmbajta veten. Të njëjtin gëzim e shihja edhe në sytë e Ganes dhe të Fatmirit e Halimit. Kurse tre të tjerët, të cilët ishin në mesin e tyre, dukeshin më të shtyrë në moshë. Të gjithë na përshëndetën ngrohtë, por pa u prezantuar se kush janë. Ishte kohë e rrezikshme, prandaj personat nuk prezantoheshin fare ose vetëm me pseudonim. Secili nga ne filloi të tregonte në mënyrën e tij përshtypjet dhe përjetimet që i kishte për ngjarjet e ditës së sapokaluar.
Nga rruga që vinte prej Serbisë për në Podujevë dëgjohej zhurma e madhe e zinxhirëve të tankeve ushtarake të pafundme. Aq shumë kaluan nëpër atë rrugë, sa të bënte të mendosh, se të nesërmen Kosova do të kishte më shumë tanke se sa njerëz. Një i ftohtë marsi filloj të kaploj natën dhe nuk mund të qëndronim më jashtë. Dikur pas mesnate, vendosëm të shkonim në një shtëpi të vogël e të vjetër aty afër, që ishte e pabanuar dhe i ngjante një shtëpie bariu në malësi. As aty nuk ishte më nxehtë se sa në mal, sepse ishte e shtruar vetëm në çimento. Kishte pak kashtë, por ajo s’na mjaftonte as për t’u ulur. Sa e mbaj në mend, dritaret nuk kanë pasur xhama fare. Të paktën toka nuk kishte lagështi.
Nga të ftohtit, por edhe nga të ecurit e të vrapuarit gjatë tërë ditës, filluan këmbët të më dhembnin, sa që nuk mund të zija vend. Edhe një shok aty afër meje, kishte të njëjtin hall, ku të shumtën e kohës e kalonte duke ecur nëpër dhomë, në mënyrë që të mos i ndiente dhimbjet. Nga keqardhja, por pak edhe nga kureshtja, dikur e pyeta me zë të ultë se si e quanin dhe nga ishte. Pa hezituar, ai më tha se e quanin Ali dhe ishte nga Sfeçla. Më çuditi përgjigja e tij e rreptë dhe e drejtpërdrejtë, ngase në atë kohë shumica vepronin me pseudonim dhe nuk tregonin prejardhjen, për shkaqe konspiracioni. Ai nuk fliste shumë, prandaj të linte përshtypjen e një njeriu sa të matur e me përvojë, aq edhe të dashur.
Dikur më vonë erdhën edhe katër apo pesë persona të tjerë, të cilët duhej të ishin po ashtu shokë të idealit. Ne nuk i dalluam kush ishin ata, sepse ishte errësirë e dendur. Mirëpo nga bisedat e tyre kuptohej se ishin me përvojë. Ata thanë se gjendja është shumë e vështirë dhe se të nesërmen mund të jetë i rrethuar i tërë qyteti nga ushtria serbe. Të gjithë, në atë shtëpi të vogël, e vumë nga pak kashtë nën kokë, se nuk kishte më tepër, u shtrimë për të bërë një sy gjumë. U zgjuam ende pa aguar dita. Na zgjoi pikërisht ai shoku i cili kishte dhimbje të këmbëve, Aliu, i cili kishte bërë rojë deri në agim. Përndryshe, edhe pse në çimento, gjumi s’do të na kishte dalë deri në mesditë, aq të lodhur e të rraskapitur që ishim.

Strehimi te baca Hasan Ramadani

27 marsi 1989 mbeti për mua datë historike, jo vetëm për shkak të zhvillimit të demonstratës së madhe e të rënies të Mehmet Ejupit, por edhe pse, që nga ajo ditë disa nga aktivistët që vepronim kundër padrejtësive që na bëheshin nga regjimi serb, u arratisëm në ilegalitet. Ajo periudhë mbijetimi për ne ishte e mbushur përplot vështirësi, ku për ndonjërin zgjati më shumë e për disa të tjerë më pak.
Në mbrëmjen e 29 marsit ne u përshëndetëm me familjen bujare të Shaban Ajetit nga Miroci. Dolëm nga konaku i tij dhe morëm rrugën e arratisjes. Nëpër atë errësirë të dendur dhe nëpër ato brigje, që as vet nuk e dija se ku të shpinin, duhej kërkuar vendstrehim. Me armët në duar e me frikën se mos na diktonte armiku, të shoqëruar me njëri-tjetrin, ecnim dy nga dy. Ecja jonë mori fund vetëm aty kah mëngjesi. Kaluam nëpër kodrat e Shajkovcit e të Herticës, por nuk arritëm të gjenim bazën që e kërkonim. Ishte shumë ftohët dhe mërdhinim, mirëpo zjarr nuk guxonim të ndiznim, ngase mund të diktoheshim. Vendi ku u përqendruam ishte një mal i vogël. Vetëm pasi ka aguar mëngjesi kemi ndezur një zjarr, që të ngroheshim pak. Mundoheshim tymin ta zhduknim, që të mos dallohej nga të tjerët, qoftë fshatarët apo nga policia. Edhe pse kishim më tepër se 24 orë pa fjetur fare, gjumi nuk na zinte nga të ftohtit. Ishim në një vend të pasigurt dhe po të vinin helikopterët, të cilët dëgjoheshin aty-këtu nga larg, do të na vërenin menjëherë. Dikur kah ora 11:00 kemi ngrënë nga pak bukë, të cilën e kishin marrë me vete shokët. Nuk na hahej fare, por duhej patjetër, sepse rruga jonë nuk dihej se kur dhe ku do të mbaronte. Aliu me një kushëri të tij tregoheshin optimistë me fjalorin e tyre. Aliu përherë tregonte diçka me tematikë politike, që na bënte të qeshnim. Edhe pse përjetonim ato vuajtje e ishim të pasigurt, nëse do të ishte mëngjesi i fundit për ne, ata me humorin e tyre e thyenin sado pak atë monotoni që na kishte kapluar. Pasdite filloi të binte shi. Ne tanimë nuk mund të rrinim as ulur, se toka jo vetëm që ishte e ftohët, por edhe e lagur nga shiu. Megjithatë na u dash të kalonim ditën aty, deri sa u errësua. Me rënien e errësirës e morëm rrugën të shkonim te një fshatar në fshatin Shajkovc. Ai ishte Hasan Ramadani, atdhetar i flakët, tanimë heroi i kombit, që për neve nuk kurseu asgjë. Me gjithë rrezikun që i është kanosur, baca Hasan na ka mirëpritur zemërplot e si çlirimtar. Në fytyrën e tij heshtazi e kam vërejtur zemërgjerësinë dhe sakrificën e tij.
Jetesa jonë në ilegalitet vështirësohej, kurse keqtrajtimi i familjarëve tanë rritej çdo ditë e më tepër. Ne ishim të varur nga mbështetja e ndihma e popullit, përndryshe nuk kishim mundësi të mbijetonim me shumë se disa ditë, se lerë më me muaj të tërë në ilegalitet.
Më 17 maj të vitit 1989 disa nga shokët u shpërndanë në bazat tjera, në mënyrë që t’mos rrezikonim duke qenë të gjithë në një vend. Kurse Aliu e unë qëndruam në shtëpinë e Nezir Osmanit në Ballocë, i cili nuk kurseu asgjë për të na strehuar. Aliu, prej të gjithëve, ka qenë më i zbehur në fytyrë. Ndoshta se kishte qenë gjatë i burgosur. Ai ishte i matur dhe fliste pak, mirëpo humori i tij e thyente nganjëherë monotoninë që na mbyste. Në prezencën e tij e ndjeja veten si me vëllanë tim. Aty-këtu bisedonim për tema të ndryshme, veçanërisht nga koha e burgut, ku kishte qëndruar 5 vjet, deri në tetorin e vitit 1988, për shkak të aktiviteteve të tija kundër regjimit serb. Pasi ishte qetësi, kohën e kalonim duke lexuar. Bashkë, në atë bazë i patëm kaluar tri ditë, pra deri më 20 maj 1989. Deri atëherë kur erdhën edhe shokët tjerë, në mesin e të cilëve ishin edhe Sabri Kiçmari e Shaban Mulolli. Ata na informuan në lidhje me situatën. Sipas tyre, policët ishin tërbuar më shumë se kurrë dhe kontrollonin në çdo kohë nëpër shtëpitë tona, tek familjarët, të afërmit e shokët tanë dhe i torturonin ata, në mënyrë që të tregonin se ku gjendeshim ne.
(Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Rudina Llazari “Nji komb qi lindet ka nevojë për…