Zgjedhjet në Luginë, Kurti u përgjigjet kritikave: Ku më thërrasin, unë shkoj

29 maj 2024 | 20:17

Me sloganin “Me mendje dhe zemër” sot në Prishtinë u mbajt tubim mbështetës për zgjedhjet në Luginë, në të cilën morën pjesë kryeministri Albin Kurti, kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani, kandidati për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Në këtë tubim u theksua nevoja për të mbështetur Luginën për t’i tejkaluar pabarazitë që po u bëhen nga shteti serb.

Kurti ka thënë se zgjedhjet në Luginë janë mundësi unike për shqiptarët e atjeshëm, teksa sa i përket deklaratave të ndryshme se në këto zgjedhje po marrin pjesë vetëm dy deputetë, ai ka thënë se “shkon aty ku e thërrasin”.

“Lugina është simbol i shpresës dhe qëndresës, bart një trashëgimi të pasur kulturore, por edhe një potencial të madh zhvillimor. Vazhdon të jetë një ndër zonat më të ndjeshme, kemi parë shumë sfida qe ka kaluar Lugina, diskriminimi i vazhdueshëm, mungesa e qasjes në dokumente janë vetëm disa nga problemet që ballafaqohen shqiptarët. Qeveria ka punuar pa ndalur për të ofruar mbështetje sociale e ekonomike. Kemi investuar dhe do të vijojnë të investojnë për të ndihmuar komunitetin tonë atje, për të siguruar një jetë më të mirë për qytetarët atje. Tani me zgjedhjet qe po afrohen në Luginë kemi mundësi unike për të çuar përpara këtë bashkëpunim. Qeveria do të jetë gjithmonë krah tyre duke mbështetur zhvillimin në çdo hap. Më kanë thënë se nuk bënë të marrin pjesë vetëm dy kandidatë, por unë shkoj aty ku më thërrasin”, tha Kurti, transmeton KP.

Kandidatja për kryetare të Preshevës, Ardita Sinani derisa ka kërkuar nga qytetarët që jetojnë e punojnë në Kosovë, të vinë të dielën dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës, në mënyrë që të përmirësohet e ardhmja e Luginës përmes qeverisjes së shqiptarëve.

Ndërsa, kandidati për kryetar të Bujanocit, Ragmi Mustafi, ka theksuar se nuk mjafton vetëm mbështetja morale, porse Kosovë me Luginën duhet të ndërlidhën si kurrë më parë për të përmirësuar jetën e qytetarëve shqiptarë atje.

“Nuk mjafton vetëm mbështetja morale, ne duhet të ndërlidhemi si kurrë më parë edhe me Kamenicën, Gjilanin e Prishtinën, ju që jetoni këndej jeni dëshmia më e mirë. Sot ju shqiptarët e Bujanocit mund të shkoni në vatrat e juaja me targat RKS, mund të shërbeheni me shërbimet shëndetësore si të barabartë. Do të bëjmë çmos që bashkërisht t’i japim një të ardhme çdo shqiptari që jeton ne Bujanoc”, tha ai.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka shprehur besimin e tij se më 2 qershor do të fitojnë shqiptarët ndërsa ka shtuar se me ndihmën e Kurtit janë tejkaluar shumë sfida në Luginë ndër vite.

Ai ka bërë thirrje që shqiptarët me të drejtë vote të votojnë për të mirën e vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njësia rajonale e komunikacionit rrugor në Gjakovë ka themeluar edhe…