Asllani e Ajeti mezi e presin Evropianin: Emocion i veçantë, shkojmë për të bërë më të mirën tonë

30 maj 2024 | 15:18

Pas publikimit të listës paraprake për Kampionatin Evropian “Gjermani 2024”, kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet nën urdhrat e trajnerit Silvinjo dhe stafit teknik. Atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe të gjithë janë të gatshëm për të dhënë maksimumin. Në një prononcim për fshf.org, Kristjan Asllani dhe Arlind Ajeti kanë treguar emocionet kuqezi në prag të finaleve të Kampionatit Evropian “Gjermani 2024”.

Kristjan Asllani tregon se gjithmonë është një emocion i madh ftesa nga Kombëtarja dhe shton se po pret me padurim për të luajtur ndeshjet e Evropianit, sidomos me Italinë. “Është një emocion i madh sa herë të thërret Kombëtarja shqiptare. Do shkojmë me shumë dëshirë për të luajtur ndeshjet, janë shumë të bukura. Mezi po pres, sidomos ndeshjen e parë me Italinë. Ndjehem shumë mirë. Ka qenë një sezon shumë i mirë për skuadrën dhe për mua, pasi kam marrë shumë minuta këtë vit. Tani kemi ndeshjet dhe shpresoj që të paraqitemi sa më mirë”, ka thënë fillimisht mesfushori kuqezi, i cili shtoi se tifozët shqiptarë janë zjarr dhe mbështetja do të jetë maksimale edhe në Gjermani.

“Emocionet janë vështirë të përshkruhen, por dua të them që sa herë më thërret Kombëtarja jam gjithmonë i lumtur. Evropiani është diçka shumë e veçantë dhe mezi presim që të fillojë. Kemi shumë lojtarë me cilësi dhe pothuajse të gjithë luajnë në ekipe të mëdha. Kjo mendoj që është diferenca nga viti 2016. Gjithsesi angazhimi, motivimi në Kombëtare është gjithmonë në maksimum”, ka thënë fillimisht Arlind Ajeti, i cili pret edhe mbështetjen e tifozëve kuqezi në dy miqësoret ndaj Lihtenshtejnit (3 qershor në orën 20:00) dhe Azerbajxhanit (7 qershor në orën 19:00), në “Haladas Sportkomplexum”, Hungari.

“Besoj që tifozët nuk kanë nevojë për thirrje, në çdo ndeshje na kanë ndihmuar dhe besoj që edhe në dy ndeshjet miqësore do të jenë pranë nesh. Çdo ndeshje do jetë speciale në Evropian, nuk mund të them Italia, Kroacia apo Spanja. Çdo ndeshje është speciale dhe do të bëjmë maksimumin”, ka përfunduar Ajeti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut duhet të punojë…