Hapja e Urës së Ibrit, Zyra e BE-së: Çdo vendim duhet të bëhet në kuadër të dialogut

30 maj 2024 | 15:45

Hapja e Urës së Ibrit është bërë temë diskutimi së fundmi në vend.

Lidhur me këtë janë deklaruar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Në një përgjigje për “Klankosova.tv”, zëdhënësja Ioanna Lachana, ka thënë se çdo vendim lidhur me urën në fjalë duhet të bëhet në kuadër të dialogut në Bruksel .

Ajo ka deklaruar se hapja e urës është marrëveshje e arritur në dialogun Kosovë-Serbi.

“Hapja e urës së Mitrovicës është temë e dy marrëveshjeve të arritura nga palët në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja në vitin 2015 dhe 2016. Pavarësisht përpjekjeve të BE-së për lehtësimin ndër vite, ura mbetet e mbyllur për trafik. Duke qenë se kjo është një çështje që i përket dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, negociatat dhe çdo vendim lidhur me urën duhet të bëhen në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Lachana.

Zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, ka ftuar palët që të zbatojnë çdo marrëveshje të arritur në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“BE-ja mbetet e gatshme për të lehtësuar bisedimet. BE-ja gjithashtu u kërkon të gjithëve që të përmbahen nga çdo veprim provokues që mund të rrezikojë stabilitetin e terrenit dhe të largojë palët nga zbatimi i Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, që duhet të jetë prioriteti i tyre kryesor”, ka thënë Lachana.

Lidhur me këtë është deklaruar edhe policia.

Zëvendësdrejtori për rajonin e veriut, Veton Elshani, i pyetur në lidhje me mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit për trafik, tha për Klankosova.tv se “policia është e gatshme të zbatojë çdo vendim të Qeverisë së Kosovës”.

Për këtë temë ka reaguar edhe Lista Serbe, duke thënë se hapja e urës duhet të bëhet në pajtim me serbët që jetojnë në veri të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Miqësia në mes të Kosovës dhe Kanadasë, e bazuar në…