![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2024/05/Ejup-Maqedonci.png)
Maqedonci flet në Odën Ekonomike Amerikane për fuqizimin e partneriteteve për siguri kombëtare
Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes është një nga parakushtet bazë për plotësimin e infrastrukturës së mbrojtjes së një vendi, veçanërisht për Kosovën në kohën në të cilën po kalon shteti karshi sfidave rajonale dhe globale të sigurisë. Në këtë aspekt fuqizimi i partneritetit me sektorin privat është më se i rëndësishëm për avancimin e sigurisë kombëtare.
Kjo është konkluduar në një bashkëbisedim të organizuar të enjten nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Gjatë këtij aktiviteti është diskutuar rreth ambientit global të sigurisë, sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nevojës për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend me qëllim përballimin e sfidave të ardhshme të sigurisë.
Maqedonci e ka vlerësuar bashkëpunimin me sektorin privat si një nga elementet e rëndësishme për zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes së vendit dhe një partner potencial për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes së vendit tonë.
Ministri Maqedonci, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati kryesor dhe akteri kryesor në rrugëtimin e deritanishëm të Kosovës, veçanërisht në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë.
Duke folur për investimet potenciale në zhvillimin e industrisë lokale të mbrojtjes, ministri Maqedonci, ka theksuar kompletimin e legjislacionit që do të largonte disa nga barrierat në këtë aspekt.
Ai ka thënë se Ministria e Mbrojtjes është në koordinim të vazhdueshëm me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, respektivisht me Zyrën e Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes, përkitazi me furnizimet me pajisje ushtarake.