Nimani: Kurti tentoi ta mashtrojë opozitën për zgjedhje, llogaridhënie e pastaj shkarkim ose dorëheqje

31 maj 2024 | 11:47

Kryetari i “Forumit Intelektual Evropa 2030”, Artan Nimani, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka tentuar t’i mashtrojë partitë opozitare për mënyrën e shkuarjes në zgjedhje.

Ndonëse i sheh të nevojshme zgjedhjet e parakohshme, Nimani ka thënë se fillimisht duhet llogaridhënie nga Kryeministri Kurti e më pastaj shkarkim ose dorëheqje.

“Opozita mendoj që ka qenë e qartë sa i takon shkuarjes në zgjedhje. Të tri partitë opozitare kanë pasur qëndrim e njëjtë fillimisht që të shkohet në zgjedhje duke kërkuar llogaridhënie ndaj kryeministrit Kurti për të gjitha dështimet e shkaktuara në vend, jo vetëm këto të fundit në marrëdhëniet ndërkombëtare por edhe problemet e brendshme ekonomike, megjithatë ishte një tendencë e kryeministrit Kurti që ta mashtronte opozitën, duke tentuar që njëanshëm të shkojë në zgjedhje sipas mënyrës siç ai dëshironte. Opozita ka qenë e barrikaduar, në përjashtim të një subjekti politik por megjithatë qëndrimi i koalicionit tonë Frontit Kombëtar është që së pari të kërkohet llogaridhënie për dështimet e vazhdueshme të Qeverisë Kurti, pastaj përmes shkarkimit ose dorëheqjes të shkohet në zgjedhje”, ka thënë Nimani për “EO”.

Nimani ka vlerësuar se kryeministri Albin Kurti ka tentuar t’i lajthisë partitë opozitare.

“Absolutisht qëllimi i kryeministrit Kurti ose e gjithë kauza e tij ishte që ta mashtronte opozitën, fatkeqësisht një subjekt politik ra në grackën e tij por megjithatë u bë mirë që një gjë e tillë u shpallë e dështuar”, ka thënë Nimani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pjesëmarja në demonstratën e 30 majit 1989 në Podujevë (Në…