Xhemajl Fetahaj dhe borxhi ynë ende i pashlyer ndaj tij

31 maj 2024 | 16:40

Në ditën e sotme, më 31 maj 1999, para një çerekshekulli, ra dëshmor në një aksion ushtarak Xhemajl Fetahaj.

Shkruan: Imer Xhemail Lladrovci

Në këtë kohë para  25 vitesh ende ekzistonte kufiri që e ndante Kosovën nga Shqipëria dhe në këtë kufi ende ushtarët serbë të armatosur luftonin për ruajtjen e tij.

Asnjëherë, për asnjë çast, kurrë nuk duhet të harrojmë faktin se dikur në këtë pjesë të truallit tonë  ekzistonte një kufi, një kufi që kalonte në këto toka  shqiptare kundër vullnetit  politik të shqiptarëve, duke i ndarë ato kundër natyrës, kundër historisë së tyre, kundër logjikës, një kufi që  ka shkaktuar tragjedi të panumërta në familjet  shqiptare. Shqiptarët atë kurrë s‘e pranuan si diçka të natyrshme, ndaj dhe e luftuan me mjetet e vetme që kishin në dispozicion, d.m.th. me jetën dhe gjakun e tyre, kështu që pa kurrfarë teprimi ky kufi mund të quhet kufi i gjakut shqiptar. Edhe gjatë luftës pikërisht në këtë zonë u vranë shumë luftëtarë që hynin në Kosovë  për të luftuar.  Xhemajl Fetahaj u vra tek përpiqej të tërhiqte trupin e vrarë të një bashkëluftëtari, trupin e Milazim Shalës

Edhe dy fjalë për kufirin që e ndante territorin shqiptar, kundër të cilit luftoi gjithë jetën Xhemajli, në fund duke u flijuar që shqiptarët të çliroheshin nga ky makth i madh. Siç dihet, këtë kufi e krijoi diplomacia europiane në Konferencën e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, kinse për të shmangur luftën me Rusinë, e cila mbështeste politikisht dhe ushtarakisht Serbinë, e cila si synim të saj strategjik e kishte grabitjen e territoreve shqiptare dhe kështu daljen në ujërat e Adriatikut. Në këtë mënyrë fqinji ynë verior që s‘e ka braktisur ende ideologjinë për një shtet të madh serb në Ballkan  mund të shndërrohej në një fuqi të rëndësishme. Bashkë me të  Rusia kthehej në një fuqi dominuese në Europë.

Breza të tërë jetuan me këtë kufi e përballë tij, në fatkeqësi e mjerim. Çdo shqiptar e përjetonte atë si një poshtërim të madh dhe si shenjë e një rreziku ekzistencial. Në këtë funksion asgjësimi bazohej ekzistenca e Konferenca e Londrës krioji kështu një përbindësh që i tjetërsonte shqiptarët dhe që në fund e ndryshoi edhe vetë Europën. Përpjekjet e  fuqitë e mëdha   për ta qetësuar ariun e pangopshëm të veriut, i cili si sponzor i dy luftërave ballkanike kishte treguar se ishte i gatshëm për të shkaktuar një kaos edhe më të madh, dështuan plotësisht, por shqiptarët ishin ata që paguan gjithçka. Ministri britanik i kohës, sër Eduard Grei ( Eduard Grey), kur thotë se Shqipërinë e flijuam për hir të ruajtjes së paqes në Europë, shpreh në fakt frikën  nga Rusia e madhe që e kishte mbërthyer një pjesë të Europës, kështu që për qetësinë e miliona evropianeve të tjerë u flijua një popull i vogël në Ballkan, u shpërfill e drejta e tij për liri dhe vetëvendosje.

Njëri nga funksionet  themelore i  shënimit të përvjetorëve si ky, është krahas aspektit konkret përkujtimor edhe ndërgjegjësimi i të gjithë neve dhe, sidomos i brezit të ri, për flijimet që u bënë në luftërat tona për mbijetesë kombëtare, përfshirë këtu dhe luftën e fundit. Lufta, siç u dëshmua edhe në vitet 1998 e 1999 është një gjë e tmerrshme, por jo rrallë e pashmangshme. Çmimi i lirisë është i lartë, por një popull i pushtuar nuk ka alternativë tjetër veç flijimit suprem. Këtë gjë e dinin shqiptarët dhe prijësit e tyre, njëri prej të cilëve ishte pa asnjë dyshim Xhemajl Fetahaj. Lirinë nuk e morën si dhuratë, por për të dhanë  jetën  bijat dhe bijtë më të mirë që kishte shqiptaria në një luftë krejtësisht të pabarabartë kur shqiptarët ishin të keq armatosur, kurse armiku tyre kishte një arsenal modern armësh. Shqiptarët e kishin fituar luftën politikisht, por përballë kishin ende një shtet të fortë ushtarakisht. Kjo asimetri e forcës ushtarake u  neutralizua me vullnetin tonë për të luftuar pa pyetur për çmimin. Vendimtare në këto rrethana ishte kyqja e aviacionit të shteteve të NATO-së, të cilët për 74 ditë me rradhë bombarduan çdo cak të mundshëm ushtarak në Jugosllavinë që përbëhej vetëm nga Serbia, Mali i Zi dhe Kosova si arenë lufte. Xhemajl Fetahaj, mund të themi se ishte prototipi i luftëtarit të ndërgjegjshëm që gjithë jetën e tij e vuri në funksion të lirisë së kombit të tij.

Jetëshkrimi i heroit që përkujtojmë me këtë shkrim është mbresëlënës.

Xhemajl Fetaj u lind në katundin Raushiq të Lugut të Baranit të Pejës. Vatrën e lindjes dhe varrin e tij i ndajnë fusha e male, për të cilat ai e dha jetën në Majën e Zezë në ditën e fundit të majit të vitit 1999.

Familja Fetahaj kishte shekuj që jetonte në Rashiq.  Edhe paraardhësit e Xhemës e kishin paguar me jetë përkushtimin e tyre atdhetar. Në Luftën e Parë Botërore ushtria serbe vrau disa pjesëtarë të familjes Fetahaj në shenjë hakmarrjeje dhe për të frikësuar shqiptarët e tjerë. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe,  sidomos, pas saj pushteti serb e kishte në vëzhgim këtë familje. Represioni serb ushtrohej tani me formula të tjera, por represion e dhunë shtetërore mbetej. Masat shqiptare ishin të pakënaqura me pushtetin e ri.

Xhemajl Fetahaj në moshë shumë të re, si nxënës shkolle, përfshihet në aktivitetin ilegal politik. Nëse për të tjerët angazhimi në politikën kombëtare jashtë institucioneve të pushtuesit ishte  një shtytje e drejtpërdrejt shoqërore, për Xhemajlin ky angazhim qe një mision dhe testament familjar. Aksioni i tij i parë u bë ditën që media jugosllave dha njoftimin për  vrasjen e vëllezërve Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës në Untergrupenbach afër Stuttgart-it në Gjermani. Atë mbrëmje ai kishte shkruar në disa vende parullën „Kosova Republikë“ dhe parulla të tjera që i ftonin shqiptarët për luftë politike më intenzive kundër Serbisë, përkatësisht Jugosllavisë që shtypte shqiptarët. Kur u kthye në shtëpi nga aksioni dëgjoi për vrasjen e atdhetarëve shqiptarë në Gjermani. Derisa u burgos në vitin 1984 çdo përvjetor të rënies së tre  atdhetarëve shqiptarë e shënonte me një aksion të tillë. Siç e ka lënë edhe në shënimet e tij, ai me këto aksione donte të përjetësonte kujtimin e atdhetarëve të rënë dhe t‘u tregonte pushtuesve serbë se ata, idetë e tyre të pavdekshme ende jetonin. Galerisë së të rënëve për atdhe në fund iu bashkua edhe vetë Xhemajl Fetahaj.

Në vitin 1984 Xhemajl Fetahu u burgos dhe pas disa muajsh u dënua me një dënim të gjatë e të rëndë. Ky vit na e kujton romanin me titull „1984“ të shkrimtarit anglez Gjorgj Orvell (George Orwell). Viti 1984 i Xhemajl Fetahut dhe romani „1984“ i Gjorgj Orvellit  na bëjnë të mendojmë se intrigat dhe frika që mbjellë sunduesi i egër në fund dështojnë. Duke lexuar romanin e Orvellit ne kuptojmë  më mirë jetën e heroit shqiptar, i cili kurrë s’u përkul, paçka se përkushtimin e tij e pagoi me jetë. Një pjesë të dënimit Xhemajli e kaloi në Burgun famëkeq të  Pejës ku ndaj shqiptarëve ushtrohej dhunë e shfrenuar pothuajse çdo ditë, kurse disa vite të tjera burgu i kaloi në Serbi,  në Burgun e Valevës. Kudo ai qëndroi në mënyrë burrnore përballë atyre që e përndiqnin. UDB-ja e kishte pikasur tek ai qysh herët, kur ende ndodhej jashtë burgut, atdhetarin e paepur dhe jashtëzakonisht inteligjent, kështu që menjëherë vuri në lëvizje të gjithë mekanizmat e saj shtypëse dhe intriguese. Në luftën kundër Xhemajl Fetahajt dhe familjes së tij u kyç edhe Kisha Ortdokse Serbe, e cila edhe në kohën tonë e vazhdon „misioni“ e saj kundërshqiptar. Mjafton të kujtojmë vetëm Manastirin e Banjskës dhe rolin e tij në shtatorin e vjemë. Shkrimtari i njohur serb Vuk Drašković, i cili për një kohë gjatë i ka takuar elitës intelektuale dhe shtetërore serbe që ka propaganduar politikën e luftës së pakompromis kundër popullit tonë, vitin e kaluar ka botuar romanin „Murgu Hokaj“  ( në origjinal: Vuk Drašković: „Monah Hokaj“) ku ai i bën një analizë të thellë involvimit të kishës serbe në luftën e viteve 1990. Krerët dhe murgjit serbë, siç dëshmon ky roman i jashtëzakontë, kanë qenë protagonistë të rëndësishëm të zhvillimeve dramatike në luftërat që u zhvilluan gjatë viteve 1990. Drašković-i në këtë roman ka nxjerrë në shesh gjëra që pak njerëz i dinë, por që do të duhej t‘i dinin të gjithë ata që duan ta kuptojnë me themel krizën jugosllave. Siç dihet, për fat të keq jo nga të gjithë shqiptarët, një  rol tepër destruktiv  në këtë kishë në Kosovë kanë lozur jo vetëm murgjit, por  edhe murgeshat serbe, të cilat, nga ana e tyre, e kanë ndihmuar realizimin e strategjisë udbeske kundër shqiptarëve. Por një roman për to, për rolin e tyre zor se do ta kemi, pasi që për pasqyrimin e aktivitetit të tyre kundër shqiptar të dhënat empirike vështirë gjenden. Siç ka treguar herë pas here në mediat serbe një ish vrasës i UDB-së federative, të gjitha „punët e mëdha“ janë bërë pa lënë gjurmë shkresore në arkivat e UDB-së, kështu që kjo sferë e aktivitetit të murgeshave serbe është tepër e vështirë t‘i prezantohet publikut lexues në sensit e historianit. Që kjo veprimtari kundër shqiptare ka ekzistuar, për këtë gjë s’ka asnjë dyshim, por dokumentimi i saj është tej mase i vështirë. I vështirë, por jo i pamundshëm. Në të ardhmen mund të ndodh edhe mrekullia e vetë rrëfimit të ndonjërës nga murgeshat e tilla që ende janë gjallë. Ose dikush nga to mund të ketë lënë ndonjë shënim që na ndihmon për të hedhur dritë në greminën politike që prodhoi UDB-ja në Kosovë. Serbia, për fat të keq, ende e vazhdon rrugën e vjetër të poshtërimit të shqiptarëve. Sidoqoftë, pa ndriçimin e kësaj ane të errët të realitetit tonë, nuk mund të bëhet fjalë për pajtim të mirëfilltë mes popujve tanë, sepse mbetet diçka e madhe në errësirë, e pandriçuar, diçka që ka rëndësi të jashtëzakontë morale për të gjithë ne, për shqiptarët dhe për serbët. Pajtimi i plotë mes këtyre dy popujve nuk mund të ndodh pa ndriçimin edhe të këtij aspekti perfid të së kaluarës së kishës serbe. Ish presidenti gjerman Joachim Gauck, për shumë vjet shef i Gauck-Behwrde-së në Berlin që ruante dosjet e Stasi-t gjermanolindor, shkruan në librin e tij „Dosjet e Stasi-t: Një trashëgimi e tmerrshme e RDGj-së“ ( Die Stasi-Akten: Das unheimliche Erbe der DDR) se shumë dokumente arkivore të Stasi-t nuk do të mund të zbërtheheshin saktësisht sikur të mos kishte ekzistuar ndihma e atyre që kanë punuar dikur brenda këtij institucioni represiv. Në këtë kuptim them se intrigat e UDB-së dhe të filiales së  saj në Kishën Ortodokse Serbe është jashtëzakonisht vështirë të zbulohen, ndriçohen dhe të dokumentohen. Megjithatë, na mbanë shpresa se në të ardhmen studiuesit do të gjejnë rrugët për të ndriçuar këtë kompleks të ngatërruar dhe do t’ia prezantojnë publikut strategjinë perfide të UDB-së kundër familjes Fetahaj me   Xhemajlin në fokus. Siç e dimë në ndërkohë, UDB-ja ka bërë gjithçka kishte në dorë për ta shkatërruar Xhemajlin dhe  familjen e tij. Lufta perfide kundër familjes Fetahaj ishte luftë kundër shqiptarëve dhe jo thjesht një luftë që për objekt kishte një familje apo një individ.

Në kohën e burgut Xhemajli e pa dhe e kuptoi edhe më qartë pozitën e vështirë të shqiptarëve në Jugosllavinë komuniste. Njëri prej vëzhgimeve të tij ishte edhe fakti se nëpër burgjet jugosllave kishte relativisht shumë shqiptarë të dënuar për veprën e gjakmarrjes. Burgjet serbe e jugosllave ishin plotë me shqiptarë. Shteti serb,  dhe përmes tij ai jugosllav, i nxiste armiqësitë brenda shqiptare, madje në shumë vrasje dukeshin qartë  gjurmët e UDB-së. Me shqiptarë të armiqësuar mes vete, sundimi serb ishte më efektiv. Ky ishte përfundimi logjik që i zgjoi nga kllapia shumë veprimtarë politikë dhe intelektualë shqiptarë. Pikërisht kjo rrethanë duhet të ketë nxitur Xhemajlin  që të bëhet njëri nga nismëtarët e aksionit gjithë popullor të Pajtimit të Gjaqeve. Gjaku i parë që u falë në Kosovë gjatë kësaj kohe ndodhi jo rastësisht në odën e Fetahajve. Këtij aksioni iu bashkua shpejt edhe inteligjencia shqiptare. Vetë Anton Çetta ishte vënë në krye të këtij aksioni dhe ishte i pranishëm pikërisht në odën e Fetahajve ku mori fillin e tij ky aksion madhështor dhe masovik.

Xhemajli për shkak të përndjekjes politike jetoi për disa muaj në ilegalitet në Kosovë para se të zhvendosej në Gjermani. Gjithë aktiviteti i tij në këtë kohë njihet mirë. Edhe jeta e tij si mërgimtar që ishte në kërkim të një subjekti politik që përgatitej për ndeshjen finale me Serbinë është i njohur mirë. Ai vetë na ka lënë shënime me vlerë. Xhemajlit, në një vështrim të përgjithshëm, nuk i interesonin partitë dhe organizatat  politike, ai ishte kritik me të drejtë  ndaj të gjithave, pa asnjë përjashtim, për këtë gjë ekzistojnë dëshmi të pakundërshtueshme, ndër të tjera edhe në shënimet që ai na ka lënë pas. Ajo që i interesonte atij ishte lufta çlirimtare. Çdo parti a organizatë që në programin e saj nuk e kishte luftën çlirimtare, për të nuk ishte për një Kosovë të lirë. Ky përcaktim e çoi atë në luftë në Kosovë në vitin 1998. Ai hyri në luftë, siç thotë një bashkëluftëtar i tij, pa asnjë kalkulim.

Xhemajl Fetahaj është shpallur zyrtarisht hero i Kosovës, por sa di unë, ende nuk ekziston një muze që do të mblidhte në një vend gjithë materialin që ekziston dhe që e dëshmon jetëshkrimin e tij mbresëlënës politik. Xhemajli ka lënë shumë shënime dhe dëshmi të tjera që flasin me gjuhën e fakteve për rrugën e tij të gjatë e të mundimshme atdhetare.  Ekziston ende edhe shtëpia e tij ku ka jetuar, e cila është objekti më i përshtatshëm për të qenë muzeu që do t‘i kushtohej atij.  Liria jonë duhet të ketë shenjat e saj. Pa to e kaluara mbetet një hapësirë e zbrazët dhe amorfe. Mërgata shqiptare, miqtë e shokët e shumtë të tij brenda dhe jashtë atdheut, duhet t‘i koordinojnë punët me autoritetet lokale të Komunës së Pejës për ngritjen e një muzeu për Xhemajl Fetahajn, i cili për ne luftoi politikisht dhe me armë në dorë. Heronjtë që nuk përfillen në jetën tonë të përditshme, mbeten heronj abstrakt,  dhe kështu lirisë  i mungon diçka e rëndësishme, shenjat e identifikimit. Një popull pa nderimin e heronjve të tillë si Xhemajl Fetahaj është një popull vazhdimisht i rrezikuar, me të ardhme të pasigurt. Xhemajli nuk mund të bënte më shumë për atdheun e tij sesa  të flijonte jetën në altarin e lirisë së tij. Tani është radha e jonë, të bëjmë atë që duhet ta bëjmë patjetër. Ndryshe jetës sonë i mungon dimensioni i moralitetit, ajo rrëgjohet në një ritual vegjetativ.

Si përfundim,  mund të themi se ne që jemi gjallë e kemi obligim moral përkujtimin e njerëzve të tillë si Xhemajl Fetahaj,  pa kontributin e të cilëve  ne kurrë nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Historia personale e Xhemajl Fetahajt është historia jonë. Nga jeta e tij ne mund të mësonim shumë. Xhemajl Fetahaj, në kuptimin e plotë të fjalës, ishte dhe është një hero i vërtetë i shqiptarisë. Lufta për atdheun për të gjithmonë ka qenë detyrë mbi detyrat. Kjo është bindje e përgjithshme për personalitetin e tij. Kushdo që e ka takuar apo që ka punuar me të me këtë përshtypje është ndarë prej tij, edhe pse fjala „ndarë“ nuk mund te shpreh diçka që nuk ka ndodhur kurrë, sepse nga Xhemajli mund të ndaheshe vetëm fizikisht, por kurrë shpirtërisht.

Autori është ish diplomat karriere dhe shef i Konsullatës së Kosovës në Stuttgart dhe Vjenë të Austrisë.

Stuttgart, 31 maj 2024.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një finale e Ligës së Kampionëve nuk është kurrsesi një…