Milionat e futur në ‘Trepçë’ nuk rikthejnë namin e saj

03 qershor 2024 | 08:39

Në fund të tetorit të vitit 2023 Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të ndahet një shumë prej 1 milion e 600 mijë eurosh për ndërmarrjen “Trepça”.

E vetëm dy muaj para këtij vendimi, “Trepça” Sh.A përfitoi edhe 1.13 milion euro nga Ministria e Ekonomisë.

Të gjitha këto mjete u ndanë në momente kritike për ndërmarrjen, kur nuk kishte mundësi financiare as për pagesën e punëtorëve.

Por, sa ka qenë shuma totale e ndarë gjatë tri viteve të fundit nga Ministria e Ekonomisë, tash e disa ditë nuk kanë dhënë një përgjigje.

Derisa ministria hesht, kritika ndaj kësaj forme shpreh ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

“Nuk mund të rimëkëmbet Trepça më infuzione financiare, duhet profesionalizëm, duhet planifikim dhe menaxhim. Të gjitha milionat që po investohen po bëhen për të shëruar por jo për ta këndellur Trepcën. Duhet të ketë teknologji, fuqi të re që do të kthej reputacionin e Trepçës. Nuk jetohet duke pasur investime milionëshe, derisa kapaciteti i saj të jetë 50%”, ka thënë ekonomisti Safet Gërxhaliu.

Se këto investime nuk ndihmojnë në rivitalizimin e kësaj ndërmarrjeje që dikur kishte nam në Kosovë, thotë edhe ekonomisti Adhurim Haxhimusa.

“Rehabilitimi i Trepçës ka një qasje tjetër nga institucionet përgjegjëse të Kosovës. Ajo, nuk mund të ngritet në vendin që duhet pa një strategji gjithëpërfshirëse, aktiviteti i saj ngërthen shumë sektor të tjerë të ekonomisë. Prandaj,  milionat që jepen dhe janë dhënë,  janë vetëm sa më ruajt status-quon e saj, ringjallja e saj,  kërkon një strategji më të detajuar jo kështu,” tha ekonomisti Adhurim Haxhimusa.

Në shkurt të 2023-s ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se ekzekutivi qëndror mori vendim për një kredi për “Trepçën” në shumë prej 20 milionë eurosh, me të cilat parashihej të bëhej rivitalizimi i ndërmarrjes.

Por, një vit pas kjo ende nuk është realizuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fronti për Ndryshim ka shpallur fitoren e zgjedhjeve në Bujanoc.…