Hapet Panairi i Librit, pritet të vizitohet nga 40 mijë vizitorë

05 qershor 2024 | 14:16

Është hapur të mërkurën edicioni i 24-t i Panairit të Librit në Prishtinë. Tema e sivjetme është “Përgjigjja është libri”, ndërsa do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00 deri në orën 21:00. Në hapje të panairit, i cili do të përfundojë të dielën, kanë marrë pjesë edhe ministrat Hajrulla Çeku dhe Arbërie Nagavci.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka deklaruar se në panair pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.

Ai ka thënë se janë rreth dy mijë tituj të rinj. Zeneli ka shprehur pritjet që panairin ta vizitojnë rreth 40 mijë vizitorë.

“Sot puna e netëve të vona e redaktorëve e mundi i madh i botuesve është materializuar në mjetin magjik të quajtur libër afrohet te lexuesi. Falënderoj përkrahësit e panairit MKRS-në, MAShTI-n, sot ndihmohen botuesit e shkrimtarët. Falënderoj botuesit që punojnë për të formuar njerëzit e shoqërinë, uroj që ky panair të jetë festë për ju dhe ne”, ka thënë Zeneli.

Ndërsa ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku,  ka thënë se është kënaqësi me pa numrin e lexuesve dhe librat e rinj që tashmë janë shtuar në këtë panair.

“Përgëzime për ekipin e panairit, ta gëzojnë dhe shijojmë panairin”, ka thënë Çeku.

Në anën tjetër, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka përgëzuar për moton e panairit të këtij viti, duke shtuar se është pozitive shtimi i numrit të librave për përmirësimin e gjendjes në arsim.

Më tutje, drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka thënë se panairi i librit është një simbol i përpjekjeve tona të përbashkëta për të krijuar mendime të reja, ku kulturat na bashkohen.

“Është një mundësi për të mbështetur talentet e rinj ta shfrytëzojmë këtë moment për të lexuar më shumë dhe ndarë njohuritë tona”, ka thënë Halimi. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Kosovës do të përballet sonte me atë të…