Dëshmitari Bytyçi në Hagë: Gjykata Speciale është përpjekje për minimin e shtetit të Kosovës

05 qershor 2024 | 16:40

Dëshmitari Nuhi Bytyçi gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ka thënë se Gjykata Speciale është përpjekje për të minuar shtetin e Kosovës për arsye që sipas tij çlirimtarët dhe themeluesit e shtetit të Kosovës ndodhën në këtë gjykatë.

“Atëherë ashtu ka qenë raporti i forcave ndërkombëtare dhe Serbia po të pyetej, edhe sot e minon shtetin e Kosovës bashkë me Rusinë. Edhe kjo gjykatë konsideroj që është përpjekje për minimin e shtetit të Kosovës sepse këtu janë çlirimtarët dhe janë themeluesit e shtetit të pavarur të Kosovës”, ka thënë dëshmitari para trupit gjykues në rastin e liderëve të UÇK-së.

Përgjigja e dëshmitarit ka ardhur pasi avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq po e pyeste për politikat e bashkësisë ndërkombëtare në gusht të vitit 1998, të cilët ia kishin prezantuar përfaqësuesve ndërkombëtarë se në negociatat me Serbinë mund të diskutohej vetëm autonomia e Kosovës dhe jo pavarësia e saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, dëshmitari ka thënë se politika e bashkësisë ndërkombëtare nuk ofronte më tepër se autonomi për Kosovën në atë kohë.

Dëshmitari Bytyçi, ka thënë se ishte në dijeni që Sllobodan Millosheviqi në fund të shtatorit kishte deklaruar edhe tek përfaqësuesit ndërkombëtarë që UÇK-ja “ishte shkatërruar efektivisht”.

“Millosheviqi donte të fuste frikë të populli shqiptar që të mos mbështeste UÇK-në dhe unë në nëntor të vitit 1998 e përgatita një dokumentar special se UÇK-ja ekziston, se UÇK-ja është këtu dhe vepron dhe punon për të çliruar përfundimisht Kosovës”, ka thënë dëshmitari.

Megjithatë, Mishetqi është kthyer tek një video e daljes së parë publike të Thaçit, në të cilën thoshte se institucionet serbe kanë bërë luftë speciale kundër UÇK-së për të portretizuar atë si të shkatërruar.

Avokati është fokusuar tek pjesa ku Thaçi përmendte disa elemente autonome për të cilat e ka pyetur dëshmitarin se a e kishte për propozimet e ndërkombëtareve për autonominë apo i referohej diçkaje tjetër.

“Në atë periudhë kohore edhe disa faktorë ndërkombëtarë kanë menduar se mjafton autonomia për Kosovën edhe disa individë në Prishtinë ndoshta kanë menduar se pikërisht mjafton autonomia për Kosovën dhe se është zgjidhje autonomia për Kosovën, populli shqiptar i Kosovës nuk është pajtuar me këtë dhe për këtë arsye kur janë shterur të gjitha mjetet demokratike, të gjitha mjetet paqësore për realizimin e qëllimit për pavarësi është aktivizuar UÇK-ja dhe i ka marrë armët për të zhvilluar luftë frontale kundër forcave policore dhe ushtarake serbe”, ka thënë dëshmitari Bytyçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian i ka dhuruar si donacion katër vetura të…