“Zhduket” pronari i biznesit që Përparim Rama deshi t’ia japë me qera Pishinën e Gërmisë

05 qershor 2024 | 20:14

Është e vetmja pishinë publike në Kosovë. Ndryshe njihet si Liqeni i Gërmisë. Ajo është më e madhja e këtij lloji jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjithë Ballkanin dhe e treta në Evropë për nga madhësia.

Sidoqoftë, Pishina e Gërmisë, për vite të tëra është menaxhuar nga Ndërmarrja Publike Lokale “Sport Marketing”, e cila të vetmin aksionar e ka Komunën e Prishtinës, raporton Kiks Kosova.

E disa dekada më vonë, Sport Marketingu si duket nuk po mund t’i dalë zot pishinës, e cila konsiderohet edhe aseti kryesor i kësaj ndërmarrjeje.

Prandaj, ata kanë kërkuar ndihmën e një kompanie private për t’i ndarë përgjegjësitë.

Më 15 maj të këtij viti, përmes ueb-faqes së tyre dhe gazetës zyrtare të Komunës së Prishtinës, ata shpallën një thirrje publike.

Përpos biletave për hyrjen në pishinë, ofertuesi sipas njoftimit do të kishte në menaxhim edhe restorantin, kafeteritë e amfiteatrin brenda pishinës.

E oferta më e favorshme, e cila plotëson kriteret e kërkuara në thirrjen e hapur, sipas ndërmarrjes do të shpërblehet me kontratë 2 vjeçare, ku gjatë sezonit të verës së vitit 2024 dhe 2025, shuma bazë do të jetë 70 mijë euro. Pra, 140 mijë euro për 2 vjet.

Krejt kjo sipas tyre po bëhet për arsye se ndërmarrja nuk ka fonde të mjaftueshme për menaxhimin e të gjitha këtyre shërbimeve.

Kiks Kosova ka siguruar raportin financiar të ndërmarrjes “Sport Marketing” për muajt korrik, gusht dhe shtator të vitit 2023, kur edhe e kishte vetmenaxhuar Pishinën e Gërmisë.

Të hyrat nga vizitorët në pishinë, nga tregu veror, shkolla e notit, të hyrat nga qiraja e fushave të tenisit e ato nga biletat mujore, kishin arritur shumën prej 65 mijë e 677 eurove.

Megjithatë, afatin për aplikim në thirrjen e shpallur nga menaxhmenti i ndërmarrjes e kishin shtyrë deri më 27 maj.

Deri atë ditë, sipas njoftimit, të gjithë ofertuesit do të kenë të drejtë t’i dorëzojnë ofertat e tyre dhe ajo kompani që është më e kualifikuara dhe e cila ofron kushte më cilësore dhe çmimin më të lartë se çmimi fillestar, do të fitojë.

Fituese e kësaj thirrje u shpall “Delice Caffe”, e cila nuk pati fare konkurrent të tjerë, pasi që ishte e vetmja që kishte aplikuar.

E kjo kafeteri, sipas të dhënave në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë, figuronte në pronësi të Shpend Avdylit, i cili është sekretar i degës së III të LDK-së në Prishtinë e ku kryetar i kësaj dege është Alban Zogaj, i cili është edhe nënkryetar i Kryeqytetit.

Por pesë ditë para shpalljes së fituesit, pra më 23.05.2024, ARBK-së i shkoi kërkesa për ndërrimin e pronësisë së kompanisë “Delice caffe SH.P.K”.

Këtë kërkesë nga ARBK-ja kanë njoftuar se e kishin miratuar më 30 maj të këtij viti.

Emri i Shpend Avdylit që figuronte deri më 29 maj u largua, duke u shënuar emri i një gruaje si pronare e biznesit.

Sipas të dhënave të ARBK-së, Avdili, biznesin e tij e kishte regjistruar në nëntor të vitit 2021 dhe aty figurojnë vetëm dy punëtorë.

Megjithatë, në profilin e ARBK-së të kontrolluar së fundmi nga Kiks Kosova, nga Avdyli ka mbetur vetëm email adresa, meqë si person i autorizuar dhe pronare figuron Jehona Hysenaj.

Ndërkaq, numri i telefonit i shkruar në faqe të ARBK-së figuron i një gruaje tjetër, e cila i tha Kiksit se në atë kafeteri kishte qenë e angazhuar në mirëmbajtjen e financave, prandaj e kishin vendosur numrin e saj të telefonit.

Sipas saj, biznesi “Delice Caffe” nuk ekziston më.

Si përfundim, Avdyli nuk e mori pishinën Gërmia.

Kjo për shkak se ky i fundit, i cili ishte i vetmi aplikues, vendosi të tërhiqet.

E këtë e bënë të ditur nga ndërmarrja “Sport Marketing” përmes një njoftimi në faqen e tyre, të cilin e publikuan më 30 maj të këtij viti. Në këtë njoftim, nuk u bënë të ditura arsyet e tërheqjes.

Nga menaxhmenti i Sport Marketingut thirrja u rishpall dhe tashmë ajo vazhdon të jetë e hapur për të gjitha kompanitë që synojnë menaxhimin dhe shërbime hotelerie të pishinës së Gërmisë në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli ka…